Greqi, një person humb jetën nga përmbytjet
Situata në Greqi, pas përmbytjeve të një dite më parë, po shkon drejt normalizimit...

Një person ka humbur jetën nga goditja e rrufesë, ndërsa një alpinist rumun është zhdukur në malin Olimp, ku temperatura ka zbritur në zero gradë celsius.
Sipas informacioneve paraprake, shtetasit e Maqedonisë të ndodhur për pushime në Greqi janë të sigurt.
Dhjetëra familje kanë kërkuar ndihmë në konsullatën e Maqedonisë, megjithatë askush nuk ka qenë i rrezikuar.
Shira të mëdha të përcjella me erëra të fuqishme kanë detyruar evakuimin e njerëzve, disa hotele janë vërshuar, ndërsa qindra vetura kanë përfunduar nën ujë ose baltë në pikën turistike greke Halkidiki.
Zjarrfikësit deri në dhjetë herë janë detyruar që të tërheqin njerëzit nga automobilat e ngujuar dhe janë angazhuar të gjitha pompat për zbrazjen e ujit.
Probleme gjatë 48 orëve të fundit ka pasur edhe në Neos Marmaras, Toroni, Sarti, Vuruvuru dhe Siki.
Rrëshqitjet e dheut në rrugë, automobila të cilët i bart uji, shtëpitë e vërshuara, apartamente dhe punëtoritë janë paralizuar në këtë pjesë të Halkidikit dhe dëmet ende janë duke u vlerësuar.
Për shkak të frikës nga ajo që përjetuan, turistët masivisht po largohen nga Halkidiki.
