Botë
Ballkani në flakë, përfshihen nga zjarri Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi
18.07.2017 19:49
Të paktën 80 persona janë lënduar në zjarret që digjen prej dje në mëngjes në Kroaci...

Numri më i madh i të lënduarve janë zjarrfikës. Zjarrfikësit, pas një dite të plotë, arritën të vënë nën kontroll një zjarr të madh pranë Splitit, qytetit të dytë më të madh të Kroacisë.
Zjarri ka dëmtuar fshatra dhe ka arritur periferitë e Splitit, duke lënë disa pjesë të qytetit pa ujë dhe rrymë.
Ministri kroat i Mbrojtjes, Damir Krstiçeviq, ka dhënë sot dorëheqje pas kritikave të presidentes, Kolinda Grabar Kitaroviq, se ushtria ka mundur edhe më herët t’iu ndihmojë zjarrfikësve në shuarjen e zjarrit.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë për të mbrojtur shtëpitë dhe ndërtesat tjera, mundohemi ta shuajmë zjarrin kodrave, tani është më e lehtë ta bëjmë këtë, sepse erërat nuk janë aq të forta, ne do të luftojmë kundër këtij zjarri të madh me forca tokësore”,- deklaroi kryeshefi i zjarrfikësve, Zeljko Sosa.
Shkaktarët e këtij zjarri ende nuk dihen, por qytetarët janë të bindur se zjarret janë vënë qëllimisht nga fakti se ato kanë shpërthyer brenda një kohe të shkurtër në njëzet vende.
Një tjetër zjarr i madh e ka kapluar dje edhe ishullin malazez, Lustica. Ngjarja ka ndodhur në orën 11 të mbrëmjes.
Turistët që ndodheshin në këtë ishull mezi kanë arritur të shpëtojnë të gjallë nga zjarri i madh që shpërndahej nga era që frynte vazhdimisht.
Gjithashtu zjarret kanë përfshirë edhe rajonin Lubinje dhe Trebinjë të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Sipas njoftimeve të para mësohet se 10% e territorit të Lubinjës është djegur, edhe pse lufta me zjarret vazhdon akoma, ato tani janë nën kontroll të plotë të zjarrfikësve.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
