Fillon sezoni i pushimeve verore
Qytetarët kanë filluar të shfrytëzojnë ofertat me çmime simbolike që ofrojnë Agjencionet Turistike për pushimet verore…….

Qytetarët kanë filluar të shfrytëzojnë ofertat me çmime simbolike që ofrojnë Agjencionet Turistike për pushimet verore.
Tashmë ka pushues që kanë lënë obligimet e përditshme dhe kanë vendosur që disa ditë të relaksohen në vendet bregdetare. Ndërkohë, gjatë këtyre ditëve, qytetarët kanë frekuentuar më shumë Agjencionet Turistike për tu njohur me ofertat për këtë vit.
“Interesimi ka filluar, pyesin, u ofrojmë ofertat që kemi, kemi oferta të ndryshme, si për: Greqi, Turqi, Shqipëri, Dubai edhe vendet tjera, interesimi më i madh për momentin është për Greqi dhe Shqipëri, kemi një hotel në Shqipëri te “Shkëmbi i Kavajës”, ku çmimet janë mjaft të volitshme, deri në datën 12-13 qershor çmimet janë 12 euro mëngjes, fjetje dhe darkë për person, ka plazh private, si dhe për Greqi ka oferta shumë të lira për 7 ditë diku rreth 80 euro me gjithë rrugë”, - deklaroi punëtorja në Agjencionin Turistik, Liridona Aliu.
Këtë vit vërehet interesimi më i vogël për Kroaci, Mal të Zi, Ulqin, Dubai për shkak të çmimeve më të shtrenjta, ndërkohë më shumë kanë interesim për bregdetin e Shqipërisë, Turqisë dhe Greqisë.
Për shkak se ndjehen më sigurt, qytetarët preferojnë që pushimet t’i organizojnë përmes Agjencioneve Turistike.
“Mendojmë të shkojmë nga Shqipëria në Durrës përmes Agjencionit Turistik, ndjehemi më të sigurt”, u shpreh një qytetare.
Si pushim të paharruar sidomos në rastet kur çiftet planifikojnë të kalojnë “muajin e mjaltit”, Agjencionet sugjerojnë Turqinë, pikërisht hotelin “Adami dhe Eva”, ku për person është 900 euro për një javë. (Rina Turkeshi-Saiti, TVM2)
