Protestë kundër rastit “Monstra”
“Kërkesa për dënim maksimal për të akuzuarit në rastin “Monstra”, nxitja e urrejtjes fetare dhe etnike nga ana e prokurores Gordana Geshkovska, gjykimi i padrejtë dhe selektiv ishin vetëm disa nga motivet të cilët sot na tubuan në protestë”, thanë protestuesit……

“Kërkesa për dënim maksimal për të akuzuarit në rastin “Monstra”, nxitja e urrejtjes fetare dhe etnike nga ana e prokurores Gordana Geshkovska, gjykimi i padrejtë dhe selektiv ishin vetëm disa nga motivet të cilët sot na tubuan në protestë”, thanë protestuesit. Në parullat e tyre mund të shihej revoltë ndaj institucioneve vendore dhe kërkimin e largimit nga posti të ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska dhe prokurores Publike, Gordana Geshkovska.
Ata thonë se institucionet e vendit i kanë kaluar kompetencat e tyre dhe kërkojnë ndihmë nga ndërkombëtarët.
“Porosia jonë është se kërkojmë drejtësi, nuk jemi terrorist, ata që kanë bërë veprën e dinë vetë, nuk jemi ne shkurt e shqip”, - tha një protestues.
“Porosia është se Gjykata të jetë e drejtë njëjtë ndaj të gjithë qytetarëve, mos të marrë vendime në baza nacionale dhe në presion. Ne kërkojmë drejtësi, jemi qytetarë legal të këtij vendi, por nëse Gjykata merr masa nacionaliste dhe shoviniste, ne nuk do të jemi më lojal ndaj këtij Shteti”, theksoi një protestues tjetër.
“Kjo është mënyra më demokratike për të shprehur revoltën kundër institucionit të Prokurorisë së Maqedonisë. Ne po kërkojmë drejtësi, ne nuk kërkojmë mëshirë, ne kemi ardhur në mënyrë dinjitoze të shprehim pakënaqësinë tonë kundër një institucioni, i cili bën ndarjen etnike fetare, bën poshtërimin e shqiptarëve, bën poshtërimin e një feje e cila është e pranuar me ligj në Maqedoni. Ne nuk jemi allkaidë, ne nuk jemi terrorista, ne nuk jemi vrasës. Rastet janë të montuara, nuk është i pari, por shpresoj të jetë i fundit”, deklaroi familjari Bedri Ajdari.
“Kjo protestë është bërë për shkak se Prokuroria e ka sjellë në këtë situatë rastin e montuar “Monstra”. Me këtë rast që ka montuar, ka marrë në qafë këtë popull. Jemi të pakënaqur nga Prokuroria, kërkojmë një lloj drejtësie e cila i takon secilit qytetar në Maqedoni dhe na takon edhe neve. Ne nuk jemi vrasës, ne nuk jemi terrorist, jemi njerëz të paqes, që i takojmë këtij Shteti”, u shpreh familjari Aqif Sejdiu.
“Ne ju thamë që nuk jemi vrasës, terrorist dhe “mostra”, por Prokuroria ka uzurpuar Shtetin dhe bën ç’farë të dojë ajo. Sot ka ardhur koha, por dhe vetë ajo e dëshmoi se ky proces është i montuar dhe ajo bën ç’farë të dojë. Tani e kuptoi edhe opinioni vendas, por edhe ai ndërkombëtar, se këtu behën procese të montuara”, potencoi familjari Safet Aziri.
Protesta ishte e qetë dhe përfundoi pa asnjë incident. (Florije Kamberi, TVM2)
