Ligji për gjuhët, Zaevi: Do të sillet para zgjedhjeve lokale

19.07.2017 13:39

Ligji për gjuhën shqipe do të sillet para zgjedhjeve lokale....

Ligji për gjuhën shqipe do të sillet para zgjedhjeve lokale, zotohet kryeministri, Zoran Zaev. I pyetur se me sjelljen e ligjit a rrezikohen votat e maqedonasve, Zaevi tha se me këtë akt vetëm se do të shtohen votat, pasi populli në Maqedoni është i interesuar për jetesë me të drejta të barabarta.

“Një gjë është e sigurt, se qeveria do ta sjellë ligjin para zgjedhjeve lokale, nëse jemi të përgatitur me Komisionin e Venedikut, do ta sjellim edhe në Kuvend. Ju duhet vetëm të na ndiqni dhe ta shikoni se si do të rriten votat edhe të etnitetit maqedonas, por edhe të shqiptarëve dhe etniteteve tjera që jetojnë në Maqedoni, pasi jam i sigurt se populli do zgjidhje të problemeve. Askush nuk humbet asgjë. Në përputhje me konventën evropiane, secili ka të drejtën e barabarësisë në shoqërinë tonë dhe unë jam shumë transparent dhe në mënyrë të lumtur i prezantoj punët, për shkak se të gjithë kemi të drejtë për jetesë të barabartë, të gjithë kemi të drejtë që Maqedoninë ta ndjejmë si vendin tonë, me të drejtat dhe obligimet”,- deklaroi kryeministri i RM-së, Zoran Zaev.

Zaevi informon se tashmë vendimi ligjor po përgatitet në Ministrinë e Drejtësisë dhe së shpejti do të jetë në rend dite në seancë qeveritare, ndërsa më pas do të procedohet në Komisionin e Venedikut dhe në Kuvend. (Belinda Koka-Ademi, TVM2)