Maqedoni
Debati për rebalancin e buxhetit, VMRO: qeveria shkurton projektet kapitale; LSDM: VMRO për 11 vite nuk i zgjidhi problemet
19.07.2017 17:23
Edhe debati i sotëm rreth propozim-rebalancit të buxhetit vijoi me akuza të ndërsjella midis opozitës dhe pozitës...

Opozita vlerëson se me këtë buxhet LSDM pengon ndërtimin e shkollave dhe universiteteve, si dhe projekteve tjera infrastrukturore.
Por, nga LSDM kundërpërgjigjen se VMRO ka pasur plot 11 vite për të zgjidhur problemet e qytetarëve dhe këtë nuk e ka bërë, ndërsa shkurtimine projekteve kapitale e arsyetojnë me atë që buxheti i sjellë nga VMRO ishte i fryrë me parashikime joreale.
“Të gjitha parametrat të cilat janë rritës të ekonomisë ju nuk i keni parashikuar, përkundrazi i keni sanksionuar me këtë rebalanc, i keni shkurtuar. Duhej t’i jepej theks të veçantë ekonomisë, sektorit privat përmes investimeve kapitale, por për dallim nga ajo, ju shkurtoni 78 milion euro prej investimeve kapitale. Pra, kjo flet për joseriozitetin tuaj se nuk doni të keni zhvillim në periudhën e ardhshme”,- deklaroi Liljana Zaturovska nga VMRO-DPMNE.
“Ato që e kanë sjellë buxhetin, pra përfaqësuesit e VMRO-së, ndërsa tani ndryshe po shihet i njëjti buxhet nga LSDM dhe qeveria. Kemi përshtypje se buxheti kur është sjellë në bazë të treguesve ishte i fryrë. Kjo do të thotë se të gjitha parashikimet janë bërë me të arritura maksimale, pa pritje reale, se gjithçka që është parashikuar në buxhet do të realizohet”,- tha Panço Ivanov nga LSDM.
Me rebalancin e buxhetit është paraparë ulje e të hyrave dhe shpenzimeve. Të ardhurat janë ulur për 1.5%, apo për 46,6 milion euro, ndërsa shpenzimet janë ulur për 47.2 milion euro.
Rritja e ekonomisë me rebalancimin është reviduar në 2,2 për qind për sivjet, ndërsa deficiti buxhetor është projektuar në 2,9 për qind nga BPV-ja.
ERSAN PAJAZITI
