Maqedoni

Mblidhen partitë shqiptare, shqyrtohet vënia në jetë e Deklaratës

19.07.2017 17:54

Partitë shqiptare, nënshkruese të Deklaratës së përbashkët, u takuan në Kuvendin Republikan në një tryezë te përbashkët...

Partitë shqiptare, nënshkruese të Deklaratës së përbashkët, u takuan në Kuvendin Republikan në një tryezë te përbashkët për të mbajtur gjallë frymën e këtij dokumenti.
 
Ftesën nuk iu përgjigj Lëvizja “Besa”, ndërkaq në takim mori pjesë edhe PDSh-ja, edhe pse nuk është nënshkruese e Deklaratës.
 
Sipas kryetarit të RDK-së, Vesel Memedit, në takim është diskutuar për dinamikën e të gjitha pikave të Deklaratës së partive shqiptare dhe zbatimin e tyre, veçanërisht rreth pr/Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe. 
 
“Në këtë takim sot u diskutua rreth Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Besoj se ka qenë një punë e jashtëzakonshme drafti i këtij ligji të dalë pikërisht nga tryeza e përbashkët e partive politike shqiptare. Sot kemi pasur edhe informata shtesë dhe materiale shtesë, me qëllim që të gjithë të japim kontribut si parti politike shqiptare që marrin pjesë në tryezë. Është rënë dakord që Ligji për përdorimin e gjuhëve të shkojë paralelisht edhe si vendim i qeverisë, që do të jetë pjesë përbërëse e punimeve të Kuvendit dhe njëkohësisht do të dërgohet në Komisionin e Venedikut. Ky amortizim është bërë në bashkëbisedime me të gjithë partitë që e përbëjnë shumicën parlamentare”,- deklaroi kryetari i RDK-së, Vesel Memedi.
 
Në takim është diskutuar për dinamikën e të gjitha pikave të Deklaratës së partive shqiptare dhe zbatimin e tyre në Qeveri. Është konstatuar se deri tani procesi ecën mirë.
 
Partitë shqiptare kanë treguar interes për kyçjen e shqiptarëve në bisedimet për tejkalimin e kontestit me Greqinë, ndërkaq njëzëri kanë përkrahur marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë.
 
Në takimin e ftuar nga kryetari i RDK-së, Vesel Memedi, mori pjesë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, si dhe Sadulla Duraku, kryetari i partisë Uniteti - Gëzim Ostreni, LR-PDSh-në e përfaqësoi deputetët, Surija Rashidi dhe Remzi Memedi, ndërkaq nga PDSh-ja mori pjesë deputeti, Bardhyl Mahmuti dhe Luan Tresi.
 
SHPËTIM NUREDINI