Maqedoni

Për nder të mërgimtarëve, komuna e Kërçovës organizon aktivitete sportive dhe kulturore

19.07.2017 19:25

Me rastin e kthimit të kurbetçarëve në vendlindje, komuna e Kërçovës do të organizojë një varg aktivitetesh kulturore dhe sportive...

Me rastin e kthimit të kurbetçarëve në vendlindje, komuna e Kërçovës do të organizojë një varg aktivitetesh kulturore dhe sportive të cilat do të fillojnë nesër me garat në biçiklizëm dhe vrapim maratonik.
 
“Komuna e Kërçovës gjatë ditëve në vijim ka planifikuar një sërë aktivitetesh sportive e kulturore, që organizohen për nder të kurbetçarëve tanë, të cilët gjatë këtyre ditëve janë kthyer për pushimet e zakonshme në vendlindje”,- tha kreu i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, në konferencën e sotme me gazetarët.
 
Ai e bëri të ditur agjendën e aktiviteteve të cilat do të fillojnë që nga dita e nesërme me garat sportive në biçiklizëm dhe maratonë, ndërsa do të vazhdojnë me garat në futboll për moshat e vogla dhe të rritura, futboll për femra, karate, volejboll dhe ping pong.
 
Kryetari Dehari i ftoi qytetarët, e në veçanti mërgimtarët tanë, që të jenë pjesë aktive e këtyre aktiviteteve të cilat do të pasohen me manifestime të ndryshme kulturore.
 
SHABAN DALIPI