Marrëveshja për fqinjësi të mirë, Zaharieva: Hap faqe të re të historisë
Duket se është drejt finalizimit teksti i marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Maqedoninë...

Duket se është drejt finalizimit teksti i marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Maqedoninë, andaj Sofja zyrtare nuk e sheh të arsyeshme të zhvillojë negociata të reja.
Zëvendëskryeministrja dhe ministre e punëve të Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, në një intervistë për Televizionin bullgar deklaroi se Marrëveshja është një faqe e re e rëndësishme në marrëdhëniet midis dy vendeve, por pas nënshkrimit mbetet të përfundohet edhe shumë punë.
“Marrëveshja do të nënshkruhet në gjuhën maqedonase, sipas Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, dhe në gjuhën bullgare, sipas Kushtetutës së Republikës së Bullgarisë”,- theksoi Zaharieva.
Zaharieva gjithashtu ka tha se marrëveshja bazohet në deklaratën e nënshkruar në vitin 1999, ndërsa dallimi është që janë sendërtuar mekanizma për ndjekje të zbatimit të tyre, andaj sipas saj do të ketë komision të ekspertëve nga historianë dhe punonjës shoqërorë të cilët do të punojnë në përmirësimin e programeve shkollore në bazë të burimeve legjitime historike. Lidhur me kërkesat e disa partive opozitare maqedonase që të pranohet ekzistimi i minoritetit maqedonas në Bullgari, Zaharieva thotë se autoritetet në Sofje nuk zhvillojnë negociata me parti, por me qeveri.
“Në Shkup duhet të vendosin se nëse do të vazhdojnë të jenë të izoluar edhe 11 vite nga fqinjët e tyre dhe nga bota, duke u bërë shumë të mëdhenj, ose dëshirojnë perspektivë dhe zhvillim evropian”,- tha më tej Zaharieva.
Ekaterina Zaharieva paralajmëroi se marrëveshja për fqinjësi të mirë me Maqedoninë do të shqyrtohet nga Qeveria bullgare gjatë javës së ardhshme, ndërsa pret që ta nënshkruajnë kryeministrat e dy vendeve, Bojko Borisov dhe Zoran Zaev, në fillim të gushtit në Shkup. (Gyltene Sinani, TVM2)
