Integrimet në fokus, Osmani: Maqedonia do të përmbushë detyrimet e saj, Maasikas: Të gatshëm t’i ndajmë përvojat

20.07.2017 13:43

Estonia është e gatshme të ndajë përvojat e saj me Maqedoninë....

Estonia është e gatshme të ndajë përvojat e saj me Maqedoninë në rrugën drejt integrimit euroatlantik, por procesi është meritor, deklaroi zëvendësministri i Jashtëm estonez, Mati Maasikas, pas takimit me zëvendëskryeministrin për çështje evropiane, Bujar Osmanin.

Nga ana tjetër, Osmani tha se Maqedonia do të përmbush detyrimet e përcaktuara me planin për reforma “3-6-9” dhe do të adresojmë çështjet e hapura.

“Zgjerimi përbën një proces meritor. Kjo varet nga vendet kandidate, përkatësisht vendosmëria e tyre për t’u reformuar. Si Estoni jemi të gatshëm që t’i ndajmë akoma përvojat e freskëta nga integrimi në BE dhe në këtë kuptim ne jemi këtu së bashku me partnerët tanë në kryesimin e BE-së, Austrinë dhe Bullgarinë, ku të gjithë së bashku përpiqemi ta zbatojmë politikën e zgjerimit të BE-së dhe më tej”,- theksoi zëvendësministri i Jashtëm i Estonisë, Mati Maasikas.

“Maqedonia do t’i përfundojë detyrimet e veta sa i takon procesit reformues, mbylljes së planit “3-6-9”, mbylljes së pjesës legjislative të MO-së, duke avancuar çështjen e përdorimit të gjuhës, por edhe adresimin e çështjeve të hapura. Nëse ne realizojmë, shpresojmë që edhe BE do të realizojë  nëpërmjet dhënies rekomandim të pastër, por pse jo edhe sa më shpejt të jepet datë për fillimin e bisedimeve”,- theksoi zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.

Sipas Osmanit, avancimi i Maqedonisë drejt BE-së do të fokusohet në dy trajektore. E para do të përqendrohet në reformat e brendshme, ndërsa e dyta ka të bëjë me adresimin e çështjeve të hapura, përkatësisht marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe marrëdhëniet ndëretnike, tha ai. Në pjesën e marrëdhënieve ndëretnike, sipas tij, çështja e vetme e hapur nga nënshkrimi i MO-së është Ligji për gjuhën për të cilin ka marrëveshje midis partnerëve të koalicionit.

Ndryshe, Maasikas gjatë qëndrimit të tij në Maqedoni është takuar edhe ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, Nikolla Dimitrovin, dhe kryetarin e Komisionit për Çështje Evropiane pranë Kuvendit, Artan Grubin. (Naim Ramadani, TVM2)