OKB: Nga sulmi ajror në Jemen janë vrarë 20 civilë

20.07.2017 14:28

Agjencia për refugjatë e Kombeve të Bashkuara thotë...

Agjencia për refugjatë e Kombeve të Bashkuara thotë se së paku 20 civilë, përfshirë fëmijë, janë vrarë nga një sulm ajror në Jemen.

Nga ky sulm i djeshëm është qëlluar një grup i civilëve në rajonin Mavza, në provincën jugperëndimore Taez, thuhet në kumtesën e sotme të UNHCR-së.

Në njoftim thuhet se pjesa më e madhe e të vrarëve besohet se ishin të një familjeje. Nga konflikti dyvjeçar ndërmjet kryengritësve shiitë huthi, që janë aleatë të Iranit, në njërën anë, dhe koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, që mbështetet nga perëndimi, nga ana tjetër, janë vrarë së paku 10 mijë njerëz në Jemen.

Nga kjo luftë, po ashtu, është shkatërruar pjesa më e madhe e infrastrukturës së këtij vendi dhe kjo ka çuar në përhapje të urisë dhe sëmundjeve.