Kosovë - LDK, AKR dhe Alternativa: Nuk ka marrëveshje me PAN-in dhe Haradinajn
Edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë nga mbajtja dhe përfundimi i procesit zgjedhor në Kosovë...

Edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë nga mbajtja dhe përfundimi i procesit zgjedhor në Kosovë, duket se formimi i qeverisë së re është akoma shumë larg.
Partitë dhe koalicionet politike të Kosovës vazhdojnë të trumbetojnë në opinion se asnjëra me asnjërën nuk e ka ndërmend të bëjë koalicion të ri qeverisës në Kosovë. Partitë e koalicionit Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Alternativa kanë rikonfirmuar se nuk kanë lidhur asnjë marrëveshje, qoftë si parti politike apo si deputetë veç e veç me ndonjë prej subjekteve politike që synojnë formimin e Qeverisë së ardhshme.
Krerët dhe përfaqësuesit e këtyre partive kanë zhvilluar sot një takim dhe më pas kanë demantuar se është arritur ndonjë marrëveshje me Koalicionin PAN.
Kurse deklaratat nga koalicioni PAN për marrëveshje me disa nga deputetët e LDK-së për formimin e Qeverisë cilësohen si spekulime.
“Jemi koalicion i palëkundur. I kemi 29 deputetë”,- ka thënë kandidati i nominuar për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdulla Hoti.
Ai ka thënë se LDK me partitë partnere dhe Lëvizja Vetëvendosja janë ato që do të bëjnë Qeverinë, pas dështimit të Haradinajt.
Edhe kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, tha se kjo parti i mbetet besnike bashkimit me LDK-në e Alternativën.
