Takimi Dimitrov – Taçan: Ka gatishmëri për reforma, zgjidhni kontestin

20.07.2017 16:04

Sa më shpejt të bëhet zgjidhja e kontestit të emrit....

Sa më shpejt të bëhet zgjidhja e kontestit të emrit dhe të zbatohen reformat e parashikuara, Maqedonia aq më shumë do të afrohet drejt dyerve të NATO-s, ka deklaruar  ndihmës sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Ildem Taçan, pas takimit në Shkup me ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov. 

“Ne vazhdojmë të mbështesim shtetin tuaj në rrugën për anëtarësim në Aleancë. Ashtu si për të gjitha vendet, edhe për Maqedoninë me rendësi është të mbetet e fokusuar në agjendën reformuese dhe të sigurohet stabiliteti politik. Të gjitha takimet e mia janë konfirmim i faktit se ka vullnet politik dhe më vjen mirë që e di këtë. Me rëndësi është që të gjejmë zgjidhje të pranueshme në mënyrë të ndërsjellë për emrin, por edhe në deklaratën nga Samiti i Varshavës flitet edhe për rëndësinë e reformave”,- deklaroi ndihmëssekretari i përgjithshëm i NATO-S, Ildem Taçan.

Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, theksoi se Maqedonia si  pasojë e krizës politike humbi mjaft kohë të cilën mund ta parashikojë për përafrimin e vendit drejt integrimeve euroatlantike.

“Është e qartë se na pret shumë punë, por së bashku me NATO-n ta kompensojmë kohën e humbur dhe ta kthejmë Maqedoninë në rrugën drejt integrimit në Aleancë”,- tha ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.

Taçan ishte pjesëmarrës edhe në debatin me temë “Një për një”, në organizim të Këshillit euroatlantik të Maqedonisë në Shkup. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)