Nisma qytetare “5 në 12” e përqendruar para Kuvendit, kërkon përkrahje për personat me nevoja të veçanta

20.07.2017 16:31

Nisma qytetare “5 në 12” vazhdon të këmbëngul për kërkesat e personave me nevoja të veçanta.....

Nisma qytetare “5 në 12” vazhdon të këmbëngul për kërkesat e personave me nevoja të veçanta. I bëjnë thirrje kryeministrit Zaev që të ndajë 10 minuta kohë për të dëgjuar se për çfarë kanë nevojë kjo kategori njerëzish dhe problemet me të cilat ato përballen.

Kryetarja e kësaj nisme thotë se ka klimë pozitive, por nuk ka asgjë konkrete. Janë duke i shtjelluar disa punë, por ne nuk kemi kohë të presim, tha Stojanovska.

“Tani ka paralajmërim për ndryshimin e Ligjit për personat me aftësi të kufizuar të cilët kanë mbështetje nga shteti deri në moshën 26 vjeçare, pra ne kërkojmë që ato të mbështeten gjithë jetën, ka ligje dhe nene që kërkojnë ndryshim. Me rebalancin e buxhetit të këtij viti, një pjesë e kërkesave tona nuk janë përfshirë, edhe në sferën e arsimit duhet të ndryshohen shumë gjëra, nuk kemi kohë për të humbur”,- deklaroi Suzana Stojanovska nga Shoqata e Personave me Sindromën Daun.

Nga Iniciativa qytetare “5 në 12” kërkojnë që Qeveria kërkesat e personave me nevoja të veçanta t’i vejë si prioritet në kuadër të planit operativ reformues , gjithashtu i bëjnë thirrje sektorit civil të jetë i kyçur drejtpërdrejt në krijimin e politikave të kësaj kategorie. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)