Vazhdon debati për rebalancin e buxhetit
Komisioni për financim dhe buxhet vazhdoi debatin publik.....

Komisioni për financim dhe buxhet vazhdoi debatin publik për rebalancin e buxhetit për vitin 2017. Sipas deputetëve të opozitës, me rebalanc shkurtohen fonde nga projektet kapitale, ndërsa shtohen para për paga dhe mëditje.
“Shkurtohet nga pjesa kapitale e buxhetit dhe shtohet te pagat, kontributet, mëditje dhe shpenzime për rrugë. Prandaj deputetët tanë parashtruan 706 amendamente, prej të cilëve pakoja e parë prej 40 amendamenteve ka të bëjë me projekte që ne i kemi premtuar në zgjedhje, janë pjesë e programit tonë dhe do të përpiqemi si opozitë në Kuvend të sigurojmë financa dhe t’i realizojmë”,- deklaroi Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
Mirëpo deputetë e shumicës hodhën poshtë pretendimet e opozitës. Sipas tyre, shkurtimet bëhen nga projektet joproduktive, trasferet joqeveritare dhe reklamat e qeverisë. Veç kësaj, qeveria e kaluar ka dështuar gjatë projektimit të rritjes së BPV-së për këtë vit, tha Kërstevski.
“Shoqata e Krushoradit, Popadincës dhe nuk e di se si quhej, ka fituar nga qeveria e kaluar Audi A4 dhe apartament në Shkup, pastaj ka fituar edhe 300 mijë denarë nga sekretariati i qeverisë. E dimë që ajo shoqatë ndërtoi shtatë përmendore në Shkup, ndër të cilat edhe përmendoren e Qoses”,- tha Blagojçe Kërstevski nga LSDM.
Përplasje edhe mes deputetëve të partive shqiptare nga tabore të ndryshëm. Për PDSh-në rebalanci është diskriminues në baza etnike.
“Nga aspekti i shpërndarjes së fondeve buxhetore, lirisht mund të konstatojmë se rebalanci i fondeve të buxhetit për vitin 2017 pasqyron shpërndarje joproporcionale të fondeve buxhetore mbi baza etnike. Ky çekuilibër etnik në shpërndarje të fondeve buxhetore propozohet për miratim nga partitë shqiptare në qeveri të udhëhequra nga BDI”,- theksoi Bardhyl Dauti nga PDSh.
“Buxhetin e kemi pasur të imponuar këtë vit, dhe ajo që më la përshtypje gjatë promovimit të rebalancit të buxhetit, ministrja e përdori një shprehje, një shprehje interesante, tha se ne me këtë rebalanc bëjmë një përshtatje të vogël të buxhetit”,- tha Rexhail Ismaili nga BDI.
Sipas rebalancit të propozuar, shkurtimet e përgjithshme janë rreth 47 milionë euro. Rritja ekonomike projektohet në 2.2%, ndërsa deficiti në 2.9%. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
