Karaxhoski: Qeveria shkurton buxhetin gjyqësor, Tevdovski: 363 mln euro harxhime të fshehura
Kryetari i Këshillit gjyqësor, Zoran Karaxhoski....

Kryetari i Këshillit gjyqësor, Zoran Karaxhoski, e akuzon ministrin e Financave, Dragan Tevdovskin, për shkurtimin e mjeteve për sektorin e drejtësisë nga ana e qeverisë edhe atë në vlerë prej 850 mijë eurosh.
Sipas Karaxhoskit, shkurtimi i mjeteve është në kundërshtim me ligjin, madje Karaxhoski ankohet se ka qenë i injoruar nga ministri i Financave dhe këshilltarët e tij, të cilët i janë përgjigjur se në rast nevoje e kanë numrin e Këshillit Gjyqësor, si dhe numrin celular të tij për të marrë informacione më të hollësishme, por deri më sot askush nuk e ka kërkuar.
Karaxhoski në kuadër të mbledhjes së rregullt mes anëtarëve të Këshillit Gjyqësor ka deklaruar se me mjetet të cilat tashmë qeveria i ka shkurtuar për gjyqësorin ishin paraparë mjete shtesë për rroga dhe kontribute, si dhe për pajisje të nevojshme dhe transfere të tjera, ndërkohë që janë shkurtuar edhe mbi 50 mijë euro mjete të parapara për Akademinë për gjykatës dhe prokurorë.
Nga ana tjetër, ministri i Financave, Tevdovski, ka informuar se deri më 31 maj janë gjetur gjithsej 363 milionë euro harxhime të fshehta të cilat nuk janë prezantuar me fakte gjatë ndryshimit të qeverisjes. Harxhimet arrijnë në 2.4 miliardë denarë për ndërtimin e Filharmonisë në Shkup, Teatrit të Dramës dhe objektit të Nënës Terezës.
Edhe në veprimtaritë e Ministrisë së Shëndetësisë janë gjetur harxhime të fshehura, që arrijnë deri në 3.2 miliardë denarë. Sipas Tevdovskit, janë në bisedime me Bankën Botërore që të gjejnë zgjidhje rreth pagesës së këtyre borxheve.
