Takimi Lika – Tejada: Shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit, garanci për prosperitetin dhe stabilitetin në vend
Zëvendëskryeministri përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Hazbi Lika....

Zëvendëskryeministri përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Hazbi Lika, në takimin e realizuar me ambasadoren e Zvicrës, Sybille Suter Tejada, u përqendrua tek pikëpamjet rreth ngecjeve që “Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit ka hasur në zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Shtyllat e këtij dokumenti, ku përfshihet përfaqësimi i drejtë, avancimi i përdorimit të gjuhëve, si dhe decentralizimi i pushtetit qendror dhe atij fiskal, nuk duhet të ishin shkak dhe arsye e nxitjeve të konflikteve ndëretnike të krijuara në të kaluarën”,- theksoi zëvendëskryeministri, Hazbi Lika.
Bashkëbiseduesit theks të veçantë i kushtuan edhe problematikës së mungesës të mekanizmave për të obliguar institucionet shtetërore të marrin masa rreth arritjes së përfaqësimit të drejtë institucional.
Duke qenë besimplotë për bashkëpunimin e mëtutjeshëm midis dy shteteve, duke marrë parasysh lidhjet e ngushta miqësore që janë krijuar përmes diasporës që jeton në Zvicër, zëvendëskryeministri z. Lika dhe ambasadorja znj. Tejada shprehën gatishmëri për shkëmbim të përvojave mes shteteve për të ndërtuar një shoqëri multietnike dhe të barabartë para ligjit.
