Sektori civil për Planin “3-6-9”, IPE: Besojmë në zgjerimin e masave

21.07.2017 13:46

Disa nga masat që përfshin Plan-veprimi i Qeverisë “3-6-9”.....

Disa nga masat që përfshin Plan-veprimi i Qeverisë “3-6-9” kanë filluar të zbatohen, përkatësisht është formuar grupi i grave të deputetëve, është formuar Komisioni Anketues, Komisioni për të Drejtat Themelore, Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencive të Zbulimit, tha zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, gjatë prezantimit të sistemit për implementimin e 73 masave të parashikuara për 3 mujorin e parë. Edhe Ligji për gjuhën shqipe do të miratohet në tremujorin e parë, tha Osmani.

“Plani në tremujorin e parë parashikon 73 masa në 11 fusha. Më së shumti ka në gjyqësor, diku 13 masa, 11 për zgjedhjet lokale, nëntë për kuvendin dhe të tjera të cilat duhet të realizohen. Ligji për gjuhën shqipe është një prej 73 masave që duhet të realizohen në tremujorin e parë, shpresojmë që shumë shpejt do të futet në procedurë qeveritare dhe pastaj pasi të miratohet në qeveri do të dërgohet në parlament, do të kërkojmë me insistimin e KE-së edhe mendim në Komisionin e Venedikut. Nëse vonohet në Komisionin e Venedikut, parlamenti do ta miratojë”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.

Ndërkohë, sektori civil beson se Plan-Veprimi i Qeverisë “3-6-9” mund të plotësohet me masa shtesë të përpiluara në dokumentin e tyre “blu-prit”.

“Mendojmë se ky plan mund të zgjerohet edhe më tepër. Qeveria mund të parashohë pikësëpari mjete formale në planin e vet “3-6-9”, se si ta kyç shoqërinë civile në monitorim dhe konsultim për implementimin e planit, të cilin ne e parashohim si masë dhe ai ka qenë njëra prej vërejtjeve kyçe që ne kemi pasur ndaj planit, sepse tani qeveria është e hapur për bashkëpunim, mirëpo nëse ka ndërrim në qeveri, ne nuk mund t’ia lëmë bashkëpunimin me shoqërinë civile mekanizmave joformale”,- tha Ardita Abazi Imeri nga Instituti për Politikë Evropiane.

Në përgjigjen e tij, zëvendëskryeministri Osmani tha se plani është përpiluar nga më shumë burime, përfshirë edhe nga plani i sektorit civil, por, sipas tij, u është përkushtuar masave që mund të realizohen në tremujorin e parë. (Naim Ramadani, TVM2)