Tërmet në Egje, 2 të vdekur dhe 120 të lënduar në ishullin Kos

21.07.2017 16:28

Si pasojë e tërmetit prej 6.7 ballësh, të paktën dy turistë kanë humbur jetën në ishullin grek Kos....

Si pasojë e tërmetit prej 6.7 ballësh, të paktën dy turistë kanë humbur jetën në ishullin grek Kos. Bëhet fjalë për një suedez dhe një turk, derisa mbi 120 janë të lënduar, shumica me gjymtyrë të thyera.

Tërmeti ka ndodhur rreth orës 01:31 pas mesnate, në largësi prej 16 kilometrash në verilindje të Kosit, ndërsa thellësia ka qenë 10 kilometra.

Dridhja u ndje edhe në qytetin turk Bodrum, ku dhjetëra persona janë lënduar. Mediat lokale raportuan se rreth 90 persona janë lënduar në Bodrum.

Pas tërmetit qindra turistë të frikësuar po largohen nga vendpushimet turke dhe greke.

Disa prej tyre nga frika e tërmetit kërcyen nga ballkoni. Turma të mëdha u vunë re në Aeroportin Ndërkombëtar të Kosit, ndërkohë që pushuesit përpiqeshin të largoheshin nga ishulli grek. Zyra e Jashtme i udhëzoi vizitorët “të jenë të vetëdijshëm për mundësinë e tronditjeve të tjera”.

Pas tërmetit të fuqishëm në atë zonë janë regjistruar edhe rreth 100 dridhje të tjera me intensitet më të ulët. Po ashtu një termet prej 4,3 ballësh është regjistruar në ishullin grek të Kretës. Nuk ka informacione për pasoja në njerëz apo dëme materiale.

Tani për tani nuk ka informacione për qytetarë të Maqedonisë të lënduar në tërmetin që e ka goditur ishullin Kos dhe bregdetin turk, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë, duke iu referuar informacioneve zyrtare nga organet kompetente turke dhe greke. (Gyltene Sinani, TVM2)