Pasaportat e kryesisë së VMRO–së, vendimi gjyqësor në afat prej 48 orësh
Nuk kam qëllim të ik, po përgatitem t’i fitoj zgjedhjet dhe të kthehem në pushtet....

Nuk kam qëllim të ik, po përgatitem t’i fitoj zgjedhjet dhe të kthehem në pushtet. Kështu deklaroi ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, para këshillit të Gjyqit të Apelit, ku në rend dite ishin ankesat për rastin “Titanik”.
Sipas tij, marrja e pasaportës është tentim për eliminim politik dhe për ndikim tek besimi i qytetarëve. Gruevski tha se nuk ka kryer vepër penale dhe se kundër tij zhvillohet “hajkë” politike.
“Unë planifikoj që zgjedhjet e ardhshme t’i fitoj, si parti politike, si udhëheqës i partisë politike dhe përsëri VMRO-DPMNE të kthehet në pushtet dhe jo të ik nga vendi. Asnjëherë nuk iu kam ikur ftesave të PPS-së, çdoherë gjatë udhëtimeve i kam informuar se jam jashtë shtetit edhe pse nuk e kam pasur obligim ta bëj këtë”,- deklaroi ish-kryeministër, Nikolla Gruevski.
Premtime se nuk do të ikin dhe rregullisht do të paraqiten në gjyq dhe në prokurori dhanë edhe tre funksionarë të mëhershëm të VMRO-DPMNE-së, ish-ministrja e Punëve të Brendshme, ai i Transport si dhe sekretari gjeneral i mëparshëm i Qeverisë. Edhe për ta PPS kërkon paraburgim, pasi në lëndën “Titanik” akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mjeteve për financimin e fushatës zgjedhore. Të akuzuarit thonë se nuk i kanë kryer këto vepra dhe kërkuan që procesi sa më shpejtë të fillojë që të dëshmojnë pafajësinë.
“Nuk kam dhënë arsye që të propozohet masë kundër meje, e lëre më të shqiptohet kundër meje. Unë besoj në objektivitetin e gjykatës dhe besoj se gjykatësit do të punojnë në pajtueshmëri me ligjin, argumentet dhe faktet, dhe nuk do solidarizohen me plotësimin e një agjende politike”,- theksoi ish-ministrja e MPB-së, Gordana Jankullovska.
Ndërkohë, PPS ka frikë se të akuzuarit mund të ikin dhe të ndikojnë tek dëshmitarët për këtë kërkohet paraburgim. Nuk ka efekt nga deklaratat e dëshmitarëve të dhëna gjatë hetimit nëse në seancë e ndryshojnë deklaratën.
“Vetë e patë se në Ohër një nga deputetët bënte ftesë që të mos jepen deklarata. Kjo paraqet rrezik me të cilin mbrohet rrjedha e mëtejshme e hetimit dhe vërtetimin në fund të së vërtetës”,- tha Gavrill Bubevski nga PPS.
Derisa PPS insiston që të ketë paraburgim, mbrojtja kërkoi që të akuzuarit t’i kthehet pasaporta nga Gjykata e Shkallës së parë si masë kujdesi. Nuk mungoi edhe reagimi i VMRO-DPMNE-së, nga e cila kanë deklaruar se PPS është prokurori politike, e drejtuar nga ana e LSD-së me një qëllim të vetëm, ta nxijnë udhëheqësinë e kësaj partie.
“Tanimë secili e ka të qartë mënyrën me të cilën një institucion i shekullit 21 në një vend demokratik krijon raste të montuara politike pa dëshmi, pa argumente bazë, jashtë prej të gjitha normave dhe standardeve ligjore. PPS-ja është faqe e errët e gjyqësisë së Maqedonisë, ndërsa qytetarët e shohin se është instrument politik dhe turpërohen prej tij”,- u shpreh Darko Kostovski nga VMRO-DPMNE.
Në Gjykatë nuk u paraqit vetëm shefi i kabinetit të Gruevskit, Martin Protugjer, për të cilin mbrojtja dorëzoi vërtetim mjekësor. Për 48 orë gjykata duhet të vendos nëse do t’u kthehen të akuzuarve pasaportat. (Flutura Latifi, TVM2)
