Rebalanci i buxhetit, fillon shqyrtimi i amendamenteve
Përfundoi debati i përgjithshëm rreth rebalancit të buxhetit për vitin 2017....

Përfundoi debati i përgjithshëm rreth rebalancit të buxhetit për vitin 2017. Komisioni për financa dhe buxhet filloi shqyrtimin e amendamenteve, kryesisht nga opozita.
Vetëm koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE ka parashtruar 706 amendamente. Paraprakisht, opozita akuzoi pushtetin se ka filluar të ngarkojë vendin me borxhe të reja.
“Për këtë periudhë të shkurtër, arritën të na ngarkojnë me borxh PREJ 76 milionë euro, mesatarisht 1.5 milionë euro në ditë. Me këtë tempo pas zgjedhjeve lokale numri do të jetë katërshifror. Për hir të së vërtetës, opinioni duhet të dijë një anomali të këtij rebalanci, edhe pse shkurtohen shpenzimet nga shumë ministri, rritet numri i projektuar që RM duhej të ngarkohet me borxh deri në fund të vitit”,- deklaroi Dimitar Stefananxhija nga VMRO-DPMNE.
Mirëpo deputetët e shumicës hodhën poshtë pretendimet e opozitës. Sipas tyre, gjatë kësaj periudhe është pagur borxhi i qeverisë së kaluar në vlerë prej 115 milionë euro. “Qeveria e kaluar u ka mbet borxh edhe furnizuesve vendorë në vlerë prej 380 milionë euro”,- tha deputeti Pockov.
“Për momentin, qeveria ka marrë borxh në vlerë prej 60 milionë euro, ndërkaq ka paguar 115 milionë euro. A do të ketë euro obligacione, nuk e di, por e di se kanë dalë 380 milionë euro, obligime të papaguara ndaj furnizuesve vendorë. Kjo është kategori më e tmerrshme sesa borxhi i jashtëm, pasi ndikon në likuiditetin e kompanive”,- tha deputeti Sasho Pockov nga LSDM.
Pockov tha se qeveria e kaluar ka dështuar edhe në politikat për tërheqjen e investimeve të huaja, pasi ka harxhuar para për reklama në media botërore, para për mbi 120 promotorë ekonomikë, ka angazhuar ministra për thithje të investimeve të huaj dhe përkrah dorës së lirë të punës u ka dhënë edhe subvencione nga buxheti. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
