Daçiq: Së shpejti statusi i qendrës ruse në Nish

21.07.2017 17:25

Statusi i një qendre ruse në qytetin e Nishit do të qartësohet së shpejti.....

Statusi i një qendre ruse në qytetin e Nishit do të qartësohet së shpejti, bën të ditur ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq.

Ai për mediat serbe ka deklaruar se Beogradi do të vendosë së shpejti nëse do t'i japë ose jo statusin diplomatik stafit të Qendrës Humanitare ruso-serbe. Ai tha se personalisht nuk e përkrah një ide të tillë.

Komentet e Daçiqit vijnë tri ditë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar nënpresidentin amerikan, Mike Pence, në Uashington. Bisedimet e tyre kanë prekur edhe lidhjet e Serbisë me Rusinë.

Stafi në qendrën ruso-serbe ka thënë se dëshiron statusin e njëjtë diplomatik sikurse stafi i NATO-s në Serbi. Kur kjo qendër është themeluar në vitin 2012, zyrtarët rusë kanë thënë se qëllimi i tyre është të ndihmojnë në trajtimin e katastrofave natyrore dhe se nuk kanë qëllime politike.

Zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Hoyt Britan Yee, ka thënë në muajin maj se qendra mund të ketë motive të tjera, si ndikimin në opinionin publik.