Kërçovë, mbledhje komemorative për Qani Memetin

21.07.2017 19:52

Në organizim të komunës së Kërçovës, mbrëmë në Pallatin e Kulturës....

Në organizim të komunës së Kërçovës, mbrëmë në Pallatin e Kulturës në Kërçovë u mbajt mbledhja komemorative për gazetarin dhe publicistin, Qani Mehmedi. Kujtime për jetën dhe veprimtarinë e tij i evokuan kolegë, shokë e miq nga të gjitha hapësirat shqiptare.

Qani Mehmedi është figurë emblematike e gazetarisë dhe publicistikës që ka dhënë një kontribut kolosal në të gjitha proceset, si vizionar e kreator aksionesh dhe misionar veprimesh që do të kujtohen nga gjeneratat që pasojnë, tha kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, në mbledhjen komemorative që u mbajt mbrëmë në Pallatin e Kulturës në Kërçovë.

Kujtimet e tyre për jetën dhe veprimtarinë e gazetarit dhe publicistit, Qani Mehmedi, i shpalosën kolegët, shokët dhe miqtë e tij, me të cilët bashkëveproi në mbarë hapësirat shqiptare,  Qemal Murati, Agim Vinca, Emin Azemi, Alajdin Demiri, Halim Purellku, Sadik Emroja, Fazli Veliu, Nexhat Elezi, Xhevat Limani, Gjyla Çeliku, Qamil Veliu, Lutfi Zylbehari dhe e bija e Qaniut, Besiana.

Në shenjë nderimi për këtë personalitet unikal, u propozua që komuna e Kërçovës ta shpallë atë qytetar nderi dhe të ndajë çmimin “Qani Mehmedi” për krijimtari letrare dhe publicistike. (Shabani Dalipi, TVM2)