Botë

BE: Polonia rrezikon konsekuenca për përkeqësim të demokracisë

22.07.2017 19:35

Organi ekzekutiv i Bashkimit Evropian ka vetëm autoritet të kufizuar për t’i ndalur nacionalistët në pushtet...

Organi ekzekutiv i Bashkimit Evropian ka vetëm autoritet të kufizuar për t’i ndalur nacionalistët në pushtet, të cilët po e shkatërrojnë sundimin e ligjit në Poloni, por ata rrezikohen me konsekuenca, përfshirë shkurtime të ashpra në fondet e Bashkimit Evropian, që e ndihmojnë zhvillimin e këtij shteti ish-komunist, shkruan në fillim të një artikulli, agjencia Reuters.

Në qeveri prej fundit të vitit 2015, Partia për Ligj dhe Drejtësi, që është ekstremisht konservatore dhe euroskeptike, tash me shpejtësi po e kalon në parlament një legjislacion me të cilin qeverisë i jepet kontroll më direkt ndaj Gjykatës Supreme të Polonisë.

Ky është legjislacioni më i ri për të cilin kritikët thonë se po e shkatërron pavarësinë gjyqësore. Përkundër shumë thirrjeve për të mos e bërë këtë, Dhoma e Ulët e Parlamentit e ka kaluar këtë legjislacion këtë javë.

I irrituar se si Partia për Ligj dhe Drejtësi, që po ashtu, i ka marrë nën kontroll mediat publike dhe gjykatat e tjera, duke i shkatërruar standardet demokratike në këtë vend me 38 milionë njerëz, Komisioni Evropian ka shprehur përkushtim për të lëvizur me procedurën e paprecendente të paraparë me Artikullin 7.

Kjo do të thotë se qeveritë e vendeve të BE-së formalisht do të deklarojnë se ato konsiderojnë se sundimi i ligjit në Poloni është nën kërcënim, tri dekada pasi polakët e përmbysën regjimin komunist të imponuar nga Moska dhe e vendosën vendin e tyre në rrugën për pranim në BE, që u realizua në vitin 2004.

Por, derisa me një autoritet simbolik, Artikulli 7 do të kërkojë unanimitet të të gjitha vendeve të tjera të Bashkimit Evropian për ta ndëshkuar Poloninë.

Megjithatë, edhe këtu mund të ketë pengesë, pasi aleati me orientim nacionalist dhe euroskeptik, Hungaria, ka premtuar ta bllokoj çfarëdo aksioni kundër Polonisë.