Botë
Merkel: Ballkani perëndimorë ka perspektivë në BE
07.06.2014 16:54
Shtetet e Ballkanit perëndimor kanë perspektivë të qartë anëtarësimi në BE...

Shtetet e Ballkanit perëndimor kanë perspektivë të qartë anëtarësimi në BE, edhe pse u mbetet një rrugë e gjatë përpara për të bërë, deklaron kancelarja gjermane Angela Merkel.
Në video mesazhin e saj të fundit, kancelarja theksoi se ka kritere të qarta sa i takon hapave të përafrimit me bllokun. Perspektiva e anëtarësimit nuk është e shkruar vetëm në letër, por është e lidhur me programe të gjera mbështetjeje.
“Në fund të fundit vendet e kanë vetë në dorë nëse i përshkojnë fazat e veçanta shpejt apo jo“, u shprehMerkel.
Para së gjithash qeveria gjermane i shtyn shtetet aspirante për anëtarësim drejt një sistemi ligjor të besueshëm.
“Në të gjitha bisedimet me përfaqësues të këtyre shteteve qëndrojnë vazhdimisht në plan të parë çështje të shtetit ligjor. Ka programe këshilluese të gjera të BE-së, në të cilat merr pjesë edhe Gjermania”, shtoi Merkel.
Në mënyrë të veçante, ajo vlerësoi hapat përpara në bashkëjetesën e Serbisë me Kosovën, duke theksuar se konfliktet ekzistuese të shteteve të Ballkanit duhet të zgjidhen doemos para anëtarësimit në BE. Në rast të kundërt, sipas saj, përvoja tregon se përplasjet ose nuk zgjidhen më, ose do të zgjasin shumë.
