Thaçi thërret takim për seancën konstituive
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka thirrur në takim të gjithë liderët e partive politike për ta diskutuar datën e seancës konstituive...

Takimi do të mbahet nesër, por duket se aty do të jenë vetëm liderët e koalicionit PAN, Kadri Veseli dhe i nominuari për kryeministër Ramush Haradinaj.
Nga ana tjetër kryetari i LDK-së dhe kryeministri në largim, Isa Mustafa ka thënë se këto takime janë të panevojshme.
“Si lider i LDK-së nuk do të marr pjesë në takimin e ftuar nga Presidenti, sepse konsideroj që takimet e tilla janë të panevojshme dhe se ato po krijojnë hapësirë për huti dhe konfuzion dhe për të blerë kohë për manipulime të ulëta me deputet nga njerëz të caktuar të PAN-it dhe shërbëtorë të tyre”, tha Mustafa.
Ngjashëm është shprehur edhe Albulena Haxhiu e Vetëvendosjes.
“Presidenti i vendit bën mirë që të thërrasë seancë konstituive dhe jo takime të tillë të cilat janë të panevojshme. Vetëvendosje e ka shqyrtuar ftesën e Presidentit dhe nuk do të marrim pjesë në këtë takim”, tha Haxhiu.
