Kosovë, konstituimi i kuvendit më 3 gusht
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thirrur për 3 gusht....

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thirrur për 3 gusht në orën 10 Mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Këtë vendim Thaçi e mori pas takimit konsultativ me përfaqësuesit e partive parlamentare, të cilin e bojkotuan Lëvizja Vetëvendosje, Koalicioni LDK, AKR Alternativa dhe Lista Serbe. Në takimin ku kanë marrë pjesë partitë e koalicionit PDK, AAK, NISMA dhe deputetët e komuniteteve joserbe, presidenti Thaçi tha se Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet në fuqi përcaktojnë qartë hapat dhe afatet kohore brenda të cilave duhet të konstituohet Kuvendi i ri i Kosovës, të zgjidhet kryetari dhe kryesia e Kuvendit dhe pastaj të vazhdohet me formimin e Qeverisë.
“Ju ftoj që si parti politike të koordinoheni me deputetët tuaj dhe të jenë në dispozicion për mbajtjen e seancës së parë të Kuvendit të Kosovës në të cilin do të verifikohen mandatet e deputetëve dhe do të zgjedhim kryetarin dhe kryesinë e Kuvendit, që t’i hapim rrugë pastaj formimit të Qeverisë së re të Republikës së Kosovës. Kjo qeveri do të jetë qeveri e orientimit euroatlantik, që do të angazhohet të punojë dhe të realizojë aspiratat e qytetarëve të Kosovës për anëtarësim sa më të shpejtë në NATO dhe në BE”,- tha presidenti Thaçi.
Përfaqësues të koalicionit të udhëhequr nga PDK janë shprehur të bindur se i kanë siguruar numrat e nevojshëm që menjëherë pas konstituimit të Kuvendit të zgjidhet edhe qeveria e re e drejtuar nga Ramush Haradinaj. Kjo do të bëhej e mundur me mbështetjen e tre deputetëve të LDK-së. Vendimi i këtyre deputetëve është kritikuar ashpër nga kreu i LDK-së, Isa Mustafa, i cili ka theksuar se kushdo që del nga linja partiake nuk do të jetë më pjesë e LDK-së, Ndërsa formimin e një qeverie që do të varej nga votat e deputetëve të Listës Serbe dhe siç thuhet “deputetët e kontrabanduar”, e ka kundërshtuar edhe Vetëvendosje, pasi vlerëson se një qeveri e tillë nuk do t’i sillte asgjë të mirë Kosovës. (Gyltene Sinani, TVM2)
