Kançevska kërkon kthimin e pasaportës. “Titanik” – Apeli e konfirmon vendimin e Penales
24.07.2017 15:31
Ish ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançevska – Milevska, nuk pajtohet me kërkesën e PPS-së për paraburgim...

Ish ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançevska – Milevska, nuk pajtohet me kërkesën e PPS-së për paraburgim, pasi, siç thotë ajo, nuk i ka dhënë arsye për diçka të tillë, sepse çdoherë rregullisht është paraqitur në ftesat e PPS-së.
Ajo po ashtu thekson se aktualisht është deputete në Kuvend, nuk ka shtetësi të dyfishtë dhe llogari në banka të huaja dhe se nuk do të ik jashtë vendit. Kançevska në dalje nga Gjykata e Apelit njëherit premtoi se do të marrë pjesë në të gjitha aktivitetet në të cilat do të jetë e ftuar. Ajo njëherit kërkoi edhe kthimin e pasaportës që iu mor me vendim të Gjykatës Penale si masë kujdesi.
“Çdoherë përfaqësuesit e PPS-së janë pranuar personalisht nga unë derisa e kam kryer funksionin ministre e Kulturës, pastaj edhe nga ana e udhëheqësve të sektorëve për materiale të caktuara dhe çdoherë iu është dorëzuar dokumentacioni i kërkuar, ashtu që unë u jam përgjigjur ftesave të tyre”,- deklaroi ish-ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançevska - Milevska.
Por, PPS edhe më tej insiston për paraburgim nën akuzën se Kançevska si ish-ministre e Kulturës ka bërë keqpërdorim të detyrës zyrtare.
PPS kërkon paraburgim edhe për të akuzuarën e dytë që ka punuar si sekretare shtetërore në Ministrinë e Kulturës. Këshilli e shqyrtoi edhe ankesën e saj dhe ankesën e një të punësuare tjetër dhe që të dyja kërkuan që t’u kthehet pasaporta sepse nuk do të ikin. Akuza në fjalë ka të bëjë me zbatimin joligjor të tenderit për ndërtimin e muzeut të VMRO-së.
Për rastin “Titanik” Gjykata e Apelit e konfirmoi vendimin e Gjykatës Penale, me ç’rast pesë ish-funksionarëve të VMRO-së nuk iu caktua paraburgim por vetëm iu mor pasaporta. Po ashtu mbetet obligimi që ata njëherë në javë të paraqiten në Gjykatë.
“Ne në çdo rast do të përcjellim sjelljen e tyre dhe eventualisht ndonjë takim me dëshmitarët menjëherë do reagojmë, por pse bëhet fjalë për masa procesi, në çdo moment mund të kërkojmë masa nëse paraqiten rrethana të caktuara”,- u shpreh Gavrill Bubevski nga PS.
Materiali në rastin “Titanik” përfshin 26 mijë faqe dhe 20 të akuzuar për parregullsi zgjedhore dhe bashkëpunim kriminal. (Flutura Latifi, TVM2)
