Plani “3-6-9” - reformat në gjyqësor, rizgjedhjen e gjykatësve do ta bëjë Këshilli Gjyqësor; Ligji për përdorimin e gjuhëve, Osmani: nuk pres obstruksione nga VMRO-DPMNE

24.07.2017 16:03

Qeveria nuk do të ndërhyjë dhe nuk do të bëjë rizgjedhje të gjykatësve, por kjo kompetencë do t’i rikthehet Këshillit Gjyqësor...

Qeveria nuk do të ndërhyjë dhe nuk do të bëjë rizgjedhje të gjykatësve, por kjo kompetencë do t’i rikthehet Këshillit Gjyqësor, ka deklaruar zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, dhe ministri i Drejtësisë, Bilen Saliji, përpara takimit të punës dedikuar zbatimit të reformave të Planit “3-6-9” lidhur me gjyqësorin.
 
Në Ministrinë e Drejtësisë është formuar trup reformues dhe grupe punuese për ndjekjen dhe realizimin e reformave.
 
Një prej parakushteve themelore për plotësimin e kritereve politike për anëtarësim në BE është gjyqësori i pavarur, i paanshëm dhe profesional. Në planin “3-6-9”, Qeveria i parasheh 13 pika që kanë të bëjnë me reformat në gjyqësi.
 
“Interpretimet në publik se rizgjedhja e gjykatësve do të bëhet në Qeveri ose në seli të partive politike është interpretim i gabuar. Qeveria nuk do të ndërhyjë dhe nuk do të bëjë rizgjedhje të tillë të gjykatësve, siç tha ministri. Kjo kompetencë do t’i kthehet fuqishëm Këshillit Gjyqësor dhe Këshilli nëpërmjet kritereve cilësore dhe jo vetëm kuantitative, do të bëjë vlerësimin se cilët gjykatës nuk duhet të jenë pjesë e sistemit gjyqësor”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.
 
“Ministria e Drejtësisë veç më ka formuar këshillin për ndjekjen e reformave në gjyqësor, gjithashtu ka formuar edhe grupin punues që do të bëjë përgatitjen dhe plotësimin e strategjisë në gjyqësor të cilin Qeveria e Maqedonisë duhet ta miratojë deri në tetor të këtij viti. Ky grup do të formojë edhe nën grupe që do të punojnë në përpilimin dhe hartimin e disa ideve ligjore, siç është p.sh. vënia jashtë fuqie e Ligjit për vërtetimin e fakteve dhe vërtetimit të masave disiplinore dhe me këtë do t’i kthejmë masat disiplinore në kompetencë të Këshillit gjyqësor”,- theksoi ministri i Drejtësisë, Bilent Saliji.
 
Njëhërit, Osmani paralajmëroi se në ditët në vijim Qeveria do të miratojë Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe, ndërsa pas futjes së ligjit në procedurë parlamentare zëvendëskryeministri  nuk pret obstruksione nga ana e VMRO-DPMNE-së, bazuar në deklaratat e fundit të kësaj partie, që kanë të bëjnë me ndryshimin e qëndrimet ndaj shqiptarëve.
 
Këtë më së miri mund ta dëshmojë me përkrahjen e ligjit, tha zëvendëskryeministri Osmani.(Florije Beluli-Kamberi, TVM2)