Kushner: nuk kam pasur kontakte të parregullta me rusët
Dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, mohon të ketë pasur marrëveshje të fshehtë me ndonjë qeveri të jashtme apo “kontakte të parregullta” me rusët...

Dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, mohon të ketë pasur marrëveshje të fshehtë me ndonjë qeveri të jashtme apo “kontakte të parregullta” me rusët, gjatë fushatës presidenciale amerikane dhe periudhës transitore.
Kushner, i cili është edhe këshilltar i lartë i Shtëpisë së Bardhë, këto komente i ka bërë sot në deklaratën me shkrim për komitetet e Kongresit të Shteteve të Bashkuara.
“Nuk kam bërë marrëveshje të fshehtë e as që e njoh ndokënd në fushatë që ka bërë diçka të tillë, me çfarëdo qeverie të jashtme”,- thotë Kushner në kumtesën e publikuar para se të paraqitet në takimet e mbyllura me ligjvënësit amerikanë.
Komitetet e Kongresit po zhvillojnë hetime për dyshimet lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara dhe për çfarëdo marrëveshje të fshehë ndërmjet Rusisë dhe ndihmësve të presidentit, Donald Trump.
