Zhbogar: Ligji për gjuhët, me rëndësi për shqiptarët
Miratimi i Ligjit për gjuhët është me rëndësi për shqiptarët në Maqedoni....

Miratimi i Ligjit për gjuhët është me rëndësi për shqiptarët në Maqedoni, pasi vlerësojnë se me miratimin e këtij ligji Marrëveshja e Ohrit do të ishte e plotë.
Kështu deklaroi nga Struga euroambasadori, Samuel Zhbogar, i cili në këtë drejtim theksoi pikërisht shembullin e komunës së Strugës, ku është në përdorim zyrtar gjuha shqipe dhe nuk mungon komunikimi mes komuniteteve apo bashkëpunimi me komunat tjera.
“Mendoj se kjo çështje është shumë e rëndësishme për komunitetin shqiptar në Republikën e Maqedonisë, për shkak se ata mendojnë se me miratimin e Ligjit për gjuhën, implementimi i Marrëveshjes kornizë të Ohrit do të jetë i plotë. Mendoj që nëse të gjitha palët i qasen kësaj çështje me qasjen e njëjtë, ashtu siç edhe komunitetet e ndryshme i qasen në Strugë, atëherë do të jetë mirë. Me rëndësi është që komunitetet ta dëgjojnë njëri-tjetrin, të mundohen të kuptojnë pse pala tjetër kërkon që disa të drejta të realizohen”,- deklaroi ambasadori i BE-së, Samoel Zhbogar.
ZABZUNI: E MIRËSEARDHUR MBËSHTETJA E BE-SË PËR DEPONINË E STRUGËS
Zhbogar këto komente i bëri i pyetur nga gazetarët pas takimit me kryetarin e Strugës, Mustafa Zabzunin. Euroambasadori me këtë rast premtoi se BE do të ofrojë ekspertizën dhe ndihmën e kualifikuar për zgjidhjen e problemit me deponinë e Strugës.
Edhe kryetari Zabzuni tha se një nga problematikat që u ngrit në takim ishte edhe çështja e deponisë. Me këtë rast u theksua se kjo problematikë e Strugës duhet të zgjidhet nëpërmjet një qendre të përbashkët rajonale të grumbullimit dhe riciklimit të mbetjeve urbane, e cila do të jetë edhe zgjidhja afatgjate e kësaj çështje.
Euroambasadori Zhbogar dhe kryetari i Strugës, Zabzun, morën pjesë edhe në hapjen e festivalit treditor që zhvillohet në Strugë që promovon diversitetin kulturor dhe etnik si një pasuri për të gjithë. (Gyltene Sinani, TVM2)
