Maqedoni

Takimi Dimitrov - Bushati, Dimitrovi: Ligji për gjuhët së shpejti në Kuvend

25.07.2017 16:30

Qeveria po punon në mënyrë të përshpejtuar për miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve...

Qeveria po punon në mënyrë të përshpejtuar për miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, deklaroi në Tiranë ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov.
 
Sipas tij, Ligji për gjuhët nuk është vetëm në interes të shqiptarëve në Maqedoni, por edhe në interes të stabilitetit në shtet.  
                                 
“Sa i përket Ligjit për përdorimin e gjuhëve, politika është të bëhet gjithçka që është në interes të bashkëqytetarëve tanë shqiptarë, por edhe qytetarëve të tjerë që nuk janë shumicë dhe ajo të jetë në pajtueshmëri me Kushtetutën, dhe në këtë kontekst jo vetëm që nuk ngadalësohet, por punojmë me përshpejtimin. Punohet në tekstin i cili sapo të kalojë në Qeveri, Kuvend dhe Komisionit Venecian, që do të ndihmojë që ky tekst të jetë në pajtueshmëri me Kushtetutën. Implementimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe i këtij ligji janë në interes të Maqedonisë, sepse vizioni ynë për Maqedoninë është: sa më shumë qytetarët tanë janë së bashku dhe ndjejnë shtetin si të tyrin, aq më tepër jemi më stabil”,- deklaroi ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov.                                                                           
Në takimin Dimitrov-Bushati u tha se marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Shqipërisë do të forcohen, ndërsa është vendosur të realizohet mbledhja e parë e përbashkët mes dy qeverive në vjeshtë të këtij viti në Pogradec.
 
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, tha se në programin e qeverisë së Zaevit ka një këndvështrim tjetër për shqiptarët lidhur me barazinë në të drejta dhe detyrime të shtetasve që jetojnë në Maqedoni.      
                                                      
“Ne sot ramë dakord për të zhvilluar mbledhjen e parë të dy qeverive tona në vjeshtën e këtij viti në Pogradec dhe ky do të jetë një zhvillim i ri sepse do të na krijojë mundësinë të qartësojmë sektorët e bashkëpunimit për realizimin e projekteve strategjike me fonde evropiane. Shqipëria dhe Maqedonia e kanë të gjithë potencialin për një aks të ri zhvillimor”,- tha ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati.
 
Sipas Bushatit, Marrëveshja e Ohrit gjendet e trupëzuar në deklaratën e partive shqiptare por edhe në programin e qeverisë së re dhe Platformën 3-6-9 të prezantuar në Bruksel dhe para partnerëve ndërkombëtarë.
 
Dimitrovi dhe Bushati theksuan nevojën e bashkëpunimit të mëtejmë të dy vendeve duke theksuar se fqinjësia e mirë është e rëndësishme për shkak stabilitetit rajonal.
 
Me këtë rast Bushati ka theksuar se Shqipëria dhe Maqedonia nuk kanë çështje te hapura mes vete, dhe se Shqipëria nuk e pengon Maqedoninë dhe asnjë vend tjetër për t’i integruar në NATO dhe BE.
 
Dimitrovi u prit edhe nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta. Presidenti Meta e vlerësoi vizitën e ministrit Dimitrov në Tiranë si shprehje e vullnetit të qeverisë së re të Maqedonisë për të zhvilluar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve, duke nënvizuar ecurinë e tyre dypalëshe dhe vullnetin që ato të zhvillohen më tej në fushën e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në atë infrastrukturor dhe energjetik.
 
Ai po ashtu përshëndeti vullnetin qeverisë maqedonase për miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, në mënyrë të veçantë atë të gjuhës shqipe, si një hap të rëndësishëm për adresimin e plotë e pa vonesa të Marrëveshjes së Ohrit.  
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI