Maqedoni

Qeveria dritë jeshile marrëveshjes me Bullgarinë, Zaevi: marrëveshja hap perspektivë për RM-në

26.07.2017 17:25

Qeveria e Maqedonisë e pranoi raportin për negociatat e kryera dhe tekstin e harmonizuar të marrëveshjes...

Qeveria e Maqedonisë e pranoi raportin për negociatat e kryera dhe tekstin e harmonizuar të marrëveshjes për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim mes Maqedonisë dhe Bullgarisë. 
 
Në seancën e fundit qeveritare u vendos që kryeministri, Zoran Zaev, ta nënshkruajë këtë marrëveshje më 1 gusht, me arsyetimin se kjo do t’i përforcojë edhe më shumë marrëdhëniet fqinjësore mes të dyja vendeve dhe njëkohësisht Maqedonia do të përfitojë dukshëm me grumbullimin e pikave pozitive për anëtarësimin e vendit në BE dhe NATO. 
 
Zaevi premton se kjo marrëveshje në asnjë mënyrë nuk cenon integritetin, gjuhën dhe historinë e vendit. Për këtë arsye ai u bëri thirrje të gjithëve që të lexojnë përmbajtjen e kësaj marrëveshje tashmë të hapur në opinion në ueb faqen e Qeverisë.
 
“Kjo marrëveshje është përpiluar në përputhshmëri me interesat kombëtare të vendit. Kjo marrëveshje është pasqyrë e frymës së re të politikanëve të Maqedonisë të cilët ndërtojnë e jo që rrëzojnë ura. Ne si  Qeveri dhe unë si kryeministër jemi fuqimisht të përkushtuar në krijimin e politikave që zgjidhin e jo që krijojnë probleme. Marrëveshja me Bullgarinë është bashkërisht e harmonizuam, sepse vërejtëm vullnet dhe fqinj të sinqertë për të mbyllur disa çështje të hapura pa nevojë në opinion”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Përfitimet më të mëdha që Maqedonia do t’i ketë nga marrëveshja me Bullgarinë, sqaron Zaevi, do të jenë me bashkëpunimin e ndërsjellë ekonomik, me të cilën do të garantojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë. 
 
“Marrëveshja në fjalë do të ndihmojë për lidhshmërinë e infrastrukturës rrugore dhe të gazit, do ta avancojë këmbimin tregtar të mallrave dhe shërbimeve. Këmbimi tregtar për momentin është  rreth 500 ose 600 miliona euro në vit dhe përse të mos jetë 1 miliard euro. Kjo marrëveshje gjithashtu jep një impuls të fortë për ndërtimin e  korridorit 8, për të cilin në Samitin në Trieste Maqedonia fitoi grand prej BE-së prej 70 milion eurosh dhe njëkohësisht marrëveshja do të  mundësojë lehtësira doganore mes të dyja vendeve”,- u shpreh Zaevi.
 
Edhe qeveria e Bullgarisë bëri të ditur se sot edhe nga ana e tyre është aprovuar teksti i harmonizuar i marrëveshjes për miqësi me Maqedoninë dhe vlerësuan se prej këtij momenti për të dyja vendet hapet faqja e re e historisë dhe miqësisë së sinqertë. 
 
Marrëveshja në fjalë do të nënshkruhet më 1 gusht në Shkup në dy gjuhë, maqedonisht dhe bullgarisht. 
 
REXHEP QAMILI