Maqedoni

Rebalanci i buxhetit, vazhdon shqyrtimi i amendamenteve

26.07.2017 19:12

Komisioni për Financa dhe Buxhet ka vazhduar me shqyrtimin e amendamenteve për rishikimin e buxhetit të vitit 2017...

VMRO-DPMNE ka kërkuar mjete për themelimin e zonave të lira ekonomike të cilat, siç u sqarua, kanë qenë pjesë e programit të tyre.
 
“Me amendamentin propozojmë të sigurohen mjete prej 30 milion denarë për ndërtimin e zonës së lirë në Gostivar. Qeveria e VMRO-DPMNE-së ka themeluar 14 zona të lira ekonomike të shpërndara në territorin e Republikës së Maqedonisë, me çka u mundësua hyrje e kapitalit të huaj dhe u nxit zhvillimi ekonomik i barabartë rajonal. Në programin tonë kishim parashikuar të vazhdojmë edhe me themelimin e më së paku katër zonave të lira edhe atë në Kumanovë, Likovë, Gostivar dhe Mavrovë-Rostushë”,- deklaroi Dafina Stojanovska nga VMRO-DPMNE.
 
Mirëpo deputetët e shumicës hodhën poshtë pretendimet e opozitës. Zëvendësministrja e Financave, Shirete Elezi, tha se nga gjithsej 16 zona të hapura, vetëm 7 prej tyre janë funksionale, ndërsa qeveria ka aprovuar ngritjen e zonave në Likovë dhe Kumanovë.
 
“Amendamenti nuk pranohet pasi që kërkohen të zvogëlohen mjete të cilat janë të rezervuara me buxhetin me fillimin e vitit fiskal, gjegjësisht me vendimet e qeverisë. Sa i përket informatës, hapjes së zonës së lirë ekonomike, ka një procedurë me të cilën komuna duhet të bëjë kërkesë deri te qeveria që ajo me vendim ta ngarkojë drejtorinë që mund të bëhet hapja e zonave të lira ekonomike. Për momentin kemi 16 zona të lira ekonomike, por duhet të dini se vetëm 7 prej tyre janë funksionale. Sa i përket zonës së lirë në Likovë dhe Kumanovë, e njëjta është aprovuar edhe nga qeveria, por është në fazën e përgatitjes së planit urbanistik se ku ajo do të locohet”,- theksoi zëvendësministrja e Financave, Shirete Elezi.
 
Krahas 13 zonave industriale të pandërtuara të kërkohet ndërtimi i zonave të reja, përbën vetëm populizëm, tha Sasho Pockov nga LSDM. 
 
Komisioni për Financa dhe Buxhet deri më tani ka kaluar rreth 30 amendamente të parashtruara kryesisht nga opozita. 
 
Ndryshe, vetëm Koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE ka parashtruar 706 amendamente. 
 
NAIM RAMADANI