Maqedoni

Xhaferi dha llogari për 100 ditët e punës së Kuvendit

27.07.2017 15:39

Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, dha llogari për aktivitet e realizuara gjatë 100 ditëve të punës së Kuvendit...

Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, dha llogari për aktivitet e realizuara gjatë 100 ditëve të punës së Kuvendit, me ç’rast potencoi se janë realizuar takime të rregullta me koordinatorët e partive politike, janë realizuar takime ndërkombëtare me ambasadorë të vendeve anëtare të BE-së.
 
Sa i përket planit 3-6-9, në Kuvend do të themelohen 2 grupe për zbatimin e reformave të Pribesë dhe grupi i dytë për përcaktimin e grupit GREKO për parandalim të korrupsionit.
 
Sipas tij, edhe shkarkimi i prokurorit publik, Marko Zvërlevskit, nesër do të jetë në rend dite dhe nuk përjashtohet edhe mundësia që nesër të shtunën dhe të dielën të punohet për seancat e mbetura. Xhaferi po ashtu tha se zgjedhjet lokale do t’i shpall më 6 gusht nëse gjithçka rrjedh sipas dinamikës së përcaktuar.
 
“Afati nëntëdhjetëditor për shkak të dinamikës së punës së Parlamentit është tejkaluar, andaj është afati 70 ditor që rezulton 6 gushti, kjo nënkupton se më 6 gusht i shpall zgjedhjet lokale jo mbi parimet e subjekteve politike, por mbi obligimet kushtetuese si kryetar parlamenti”,- deklaroi kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi.
 
Sa i përket çështjes së Ligjit për gjuhën, Xhaferi tha se është e arsyeshme për këtë çështje të drejtohemi tek Qeveria.
 
“Qeveria ka marrë për obligim të dalë para Parlamentit me propozim konkret për projekt ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe në këtë kontekst do ishte e arsyeshme që për këtë çështje të drejtoheni te Qeveria”,- u shpreh kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi.
 
Sipas Xhaferit, deputetët do të jenë në pushim nga 8 deri më 25 gusht.
 
FLUTURA LATIFI