Maqedoni
Xhaferi: shkarkimi i Zvërlevskit, në rend dite të premten Zgjedhjet lokale do të shpallen më 6 gusht
27.07.2017 17:35
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, raportoi punën e institucionit ligjdhënës në 100 ditëshin e parë të qeverisjes...

Sipas tij, zbatimi i planit reformues 3-6-9 ka mbështetjen e plotë të Kuvendit, me ç’rast në Kuvend do të formohen edhe dy grupe punuese për zbatimin e reformave të Pribesë dhe përcaktimin e grupit Greko për parandalim të korrupsionit.
Sipas tij, edhe shkarkimi i prokurorit publik, Marko Zvërlevski, nesër do të jetë në rend dite dhe nuk përjashtohet mundësia që të shtunën dhe të dielën të punohet në seancat e mbetura.
“Seancat e pambyllura nuk mund të konvokohen derisa nuk mbaron me punë Komisioni amë, e ai përfundon ditën e sotme dhe nga nesër e tutje do të mund të vazhdohet për shkarkimin e prokurorit publik Zvërlevski”,- deklaroi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Sipas Xhaferit, nëse gjithçka shkon sipas dinamikës së paraparë, atëherë zgjedhjet lokale kreu i Kuvendit do t’i shpallë më datën 6 gusht.
“Afati nëntëdhjetëditor për shkak të dinamikës së punës së Parlamentit është tejkaluar, andaj është afati 70 ditor, që rezulton 6 gushti, kjo nënkupton se më 6 gusht i shpall zgjedhjet lokale, jo mbi parimet e subjekteve politike, por mbi obligimet kushtetuese si kryetar Parlamenti”,- theksoi kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi.
Sa i përket miratimit të Ligjit për gjuhën shqipe, kryeparlamentari Xhaferi tha se fillimisht kjo çështje i takon Qeverisë dhe më pas Kuvendit.
“Qeveria ka marrë për obligim të dalë para Parlamentit me propozim konkret për projekt ligjin për përdorimin e gjuhëve, dhe në këtë kontekst do ishte e arsyeshme që për këtë çështje të drejtoheni te Qeveria”,- u shpreh kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi.
Sipas Xhaferit, zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit është në procedurë, meqë ende nuk ka marrëveshje mes partive. Xhaferi rekomandon që tre nënkryetarë të përzgjidhen nga radhët e pozitës, ndërsa dy të tjerët nga opozita. Ai më tej shtoi se deputetët do të jenë në pushim prej datës 8 deri më 25 gusht.
Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, opinionit fillimisht iu drejtua në gjuhën shqipe. Në pyetjen e gazetarëve se nëse deklarimi në shqip është një kompleks apo provokim i radhës, Xhaferi tha se e drejta e tij si deputet është t’i përdor të dyja gjuhët.
“Unë i respektova qytetarët dhe mediat që ato të mos kenë nevojë për përkthim, u prononcova në dy gjuhë, prandaj nuk duhet të merret si provokim. Por, këtë do ia lë qytetareve ta trajtojnë ashtu si mendojnë”,- theksoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
FLUTURA LATIFI
