Maqedoni
Marrëveshja me Bullgarinë, Popovski: korrigjim në pjesën e interesave kombëtare; Marrëveshja me Bullgarinë, Shilegov: VMRO trumbeton teza të pavërteta
27.07.2017 17:49
Deputeti i VMRO-së, Nikolla Popovski, tha që dokumenti për fqinjësi të mirë me Bullgarinë...

Deputeti i VMRO-së, Nikolla Popovski, tha që dokumenti për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, i cili pret firmën në fillim të gushtit, do të marrë përkrahje nga partia e tij në Kuvend vetëm nëse i njëjti dokument pëson korrigjime në pjesën e interesave kombëtare të Maqedonisë.
“Kjo marrëveshje i plotëson tërësisht vetëm interesat bullgare dhe nuk ka dilemë për këtë, andaj ne nuk duhet të kemi predispozita negative për atë që pala bullgare lufton për interesat e veta. Me rëndësi është që edhe pala maqedonase të luftojë për interesat e saj, të përmend popullin maqedonas, gjuhën maqedonase, të mos i relativizojë gjërat. Përkundrazi, të jenë qartë të definuara të gjitha aspektet që edhe ne të ndihemi më komodë. Vetëm nga kjo ndërhyrje varet fakti se cili do të jetë qëndrimi i VMRO-së në Kuvend, a do ta përkrahë apo jo Marrëveshjen”,- deklaroi Nikolla Popovski nga VMRO-DPMNE.
Deputeti i LSDM-së, Petre Shilegov, konsideron se VMRO në mungesë idesh dhe duke mos mundur të pajtohet me faktin që është opozitë, zhvillon teza të pavërteta edhe atje ku nuk ekzistojnë.
“Mungesa e ideve politike nga VMRO-DPMNE gjatë periudhës së kaluar, veçanërisht kur u përballën me pozitën e re të tyre, si opozitë maqedonase kontribuon që të trillojnë përralla si dhe të zhvillojnë teza të paqena dhe të pavërteta edhe atje ku nuk ekzistojnë. Ju mund të kujtoni edhe periudhën e trumbetimeve për Platformën e Tiranës, shpërbërjen e vendit, përderisa LSDM formon Qeverinë. Dhe kjo është një përpjekje e radhës e VMRO-së për të krijuar huti në opinion rreth nënshkrimit të marrëveshjes me Bullgarinë”,- theksoi Petre Shilegov nga LSDM.
Sipas VMRO-DPMNE-së, Qeveria ka për obligim që të përpunojë marrëveshje fer, e cila do të përmbyllte problemet dhe jo diçka që do të krijonte frustracione shtesë në rrugën drejt BE-së.
Ndryshe nga VMRO, LSDM pohon se pikërisht me firmosjen e marrëveshjeve të këtilla Qeveria i garanton Maqedonisë perspektivë dhe stabilitet më të madh si dhe përshpejtimin e proceseve të integrimit të vendit në BE dhe NATO.
MERITA GASHI
