Maqedoni
Rasti “Target”, Grujovski dhe Boshkovski në arrati; Rasti “Target”, MPB shpall fletëarrest ndërkombëtar
27.07.2017 18:02
Pas tentimeve të pasuksesshme të policisë për të arrestuar dy të akuzuarit kryesorë në rastin “Target” dhe “Fortesa” të PPS-së...

Pas tentimeve të pasuksesshme të policisë për të arrestuar dy të akuzuarit kryesorë në rastin “Target” dhe “Fortesa” të PPS-së, ish-shefin e Drejtorisë së Pestë për Siguri dhe Kundërzbulim, Goran Grujovskin, dhe agjentin e zbulimit, Nikolla Boshkovskin, Ministria e Punëve të Brendshme ka lëshuar fletëarrest ndërkombëtar.
Në kumtesën e MPB-së thuhet se arsyeja e fletarrestit ndërkombëtar është se të akuzuarit nuk janë gjetur në lokacionet për të cilat ka pasur njohuri se mund t’i shfrytëzojnë për t’u fshehur. Policia i ka kërkuar në disa adresa të cilat u janë të paraqitura si vendbanime në Shkup, Veles dhe Ohër. Nga MPB sqarojnë se urdhrat për arrest u kanë arritur në orën 21 të mbrëmjes së djeshme. Ecuria e tillë e ngjarjeve ka vijuar pasi që 10 ditë është pritur që vendimi i Gjykatës së Apelit për paraburgim të jetë i plotfuqishëm.
Dje Komisioni prej pesë anëtarësh pranë Gjykatës Supreme konfirmoi vendimin e Gjykatës së Apelit për paraburgim për Goran Grujovskin dhe Nikolla Boshkovskin, ndërsa Toni Jakimivskit iu shqiptua vetëm masa e kujdesit dhe marrja e të dyja pasaportave. Më herët vendimin për paraburgim 30 ditor Gjykata e Apelit e ka sqaruar me mundësinë e ndikimit të të akuzuarve mbi dëshmitarët si dhe rrezikun nga arratia, megjithatë duke iu lënë mundësinë që të akuzuarit të mbrohen në liri për shkak të ankesave për vendimin në fjalë në Gjykatën Supreme.
Rastin “Target” dhe “Fortesa” PPS e ka prezantuar në publik në nëntor dhe mars të viti të kaluar. Sipas PPS-së, ekzistojnë dëshmi se mijëra persona janë përgjuar në mënyrë joligjore në periudhën kohore prej vitit 2008-2015 nga ana e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, ndërsa përgjimet kanë vazhduar edhe gjatë vitit 2016. Për këto dy lëndë janë të akuzuar 14 persona si organizatorë të përgjimit joligjor dhe pjesëmarrës në shkatërrimin e mjeteve të përgjimit.
Ndërkohë, LSDM ka fajësuar Gjykatën e Apelit dhe atë Supreme për mbrojtje të krimit. Arratia e Grujovskit dhe Boshkovsit tregon për frikën e tyre për ballafaqimin me drejtësinë dhe vërteton dyshimin për veprat që ngarkohen, thonë nga LSDM.
“Puna e turpshme dhe kriminale e Gjykatës së Apelit dhe asaj Supreme në Shkup vetëm e vërteton atë që e ka thënë LSDM, se një pjesë e gjyqësisë punon nën kontroll partiak dhe është në funksion të mbrojtjes së kriminelëve”,- theksoi Petre Shilegov nga LSDM.
Ky rast ka hapur çështjen për përgjegjësi të organeve më të larta gjyqësore, tha më tej Shilegov. Sipas tij, LSDM do të punojë për ngritje të procedurave për përgjegjësi të organeve gjyqësore që punojnë në mënyrë joprofesionale dhe në mbrojtje të krimit.
Por, VMRO-DPMNE e ka akuzuar Qeverinë dhe PPS-në se po ndjek qindra persona nga VMRO-DPMNE vetëm se u qëndrojnë në rrugë politikës destruktive kundër shtetit. Me ndikimet politike mbi gjyqësorin kryeministri Zaev nuk do t’i ik përgjigjes që u ka borxh qytetarëve: “kur planifikon të ndërrojë emrin e shtetit”,- thonë nga partia e Gruevskit.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
