Maqedoni

Taravari: pas tragjedisë në Simnicë, situata nën kontroll të plotë; Instituti i Shëndetit Publik: akoma nuk kanë përfunduar analizat; Bejta: nuk ka nevojë për panik

27.07.2017 18:16

Shkaktarët e vërtetë që çuan në vdekjen e dy personave nga fshati Simnicë e Gostivarit, akoma mbeten të panjohur...

Ende nuk ka rezultate konkrete të analizave që bëhen në Institutin për Shëndet Publik. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se më së voni deri nesër do të shpallen rezultatet.
 
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, shprehet se gjendja është nën kontroll të plotë dhe personat e hospitalizuar, të cilët kanë ardhur me të njëjtat simptome, janë jashtë rrezikut për jetën.                                                                                                            
“Sot në mëngjes menjëherë është takuar Komisioni për Sëmundje Ngjitëse dhe janë marrë të gjitha masat e nevojshme për ta prevenuar këtë situatë. Dua të theksoj se shtatë qytetarët e Gostivarit që kanë qenë në kontakt me personat e ndjerë janë në situatë stabile dhe jashtë çdo rreziku. Dua  të theksoj se situata është komplet nën kontrollin tonë",- deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
 
Shkaktarët kryesorë të kësaj sëmundje supozohet të kenë burim brejtësit dhe insektet, dhe nëse rezultatet do ta konfirmojnë këtë dyshim të ngritur, atëherë shteti duhet të marrë masa për dezinfektim që të mos të vijë deri tek ndonjë epidemi.
 
“Të gjitha rezultatet dhe anketat epidemiologjike jo të përfunduara çojnë në sëmundje infektive, me origjine nga brejtësit ose minjtë dhe rriqrat, insektet, por që duhet të konfirmohet. Qytetarët nuk duhet të krijojnë frikë ose panik rreth dy rasteve të cilat i përmendëm dhe rastet tjera të cilat janë nën mbikëqyrje në kuadër të Klinikës për Sëmundje Infektive. Nëse shkaku i këtyre sëmundjeve identifikohet si sëmundje ngjitëse infektive, shkaku virusal është me origjinë nga minjtë, rriqrat dhe insektet. Shteti duhet të marrë masa për dezinfektim dhe deratizim”,- u shpreh drejtori i Institutit për Shëndet Publik, Shaban Mehmeti.                                                                                   
 
Shqetësimin për tragjedinë familjare në Simnicë e shprehu edhe kryetari i Komunës, Nevzat Bejta, i cili beson se institucionet shëndetësore do të zbulojnë shkakun e vdekjes së dy anëtarëve të një familjeje.                                                   
 
“Tash për tash nuk kemi ndonjë rast tjetër përveç rastit të dhimbshëm që na shkuan babë e birë në komunën e Gostivarit, vendbanimi Simnicë. Për çdo gjë do të jeni të informuar, por nuk duhet të shqetësohen banorët, pasi thashethemet bëjnë edhe çrregullime. Gjithçka që ndodh, çdo goditje nga natyra dhe çdo virus që mund të vijë, do të angazhohen institucionet që të mos ketë pasoja për qytetarët e Gostivarit dhe gjithë qytetarët në RM”,- tha kryetari i Gostivarit, Nevzat Bejta.          
                                                                                                       
Nëse bëhet fjalë për ethe hemorragjike, këta viruse mund ta dëmtojnë rëndë  shëndetin. Terapi të drejtpërdrejtë dhe vaksina ndaj kësaj sëmundje nuk ka, thonë ekspertët nga Instituti për Shëndet Publik. 
 
FARIJE DAUTI - BAKIJU