Maqedoni
Rebalanci i buxhetit, deponia e Pollogut përplasi pushtetin dhe opozitën
27.07.2017 18:27
Në ditën e fundit të shqyrtimit të amendamenteve për rebalancin e buxhetit në Komisionin për Financa dhe Buxhet...

Në ditën e fundit të shqyrtimit të amendamenteve për rebalancin e buxhetit në Komisionin për Financa dhe Buxhet, debat ka nxitur kërkesa e mjeteve për deponinë rajonale në Pollog. Lëvizja “Besa” ka kërkuar 15 milionë denarë për përgatitjen e studim-fizibilitetit për deponinë në fjalë, por pushteti ka hedhur poshtë kërkesën e tyre nën arsyetimin se mjetet janë të siguruara.
“Kemi të bëjmë me një projekt rajonal, problem që ka të bëje me deponinë rajonale dhe me ndotjen e ambientit dhe ky problem nuk është i sodit ose prej dje, por është një problem me vite të tëra, është problem që ka të bëjë edhe me shëndetin e qytetarëve dhe si i tillë nga ana e institucioneve ka qenë i lënë anash për shkak se nuk është zgjidhur”,- deklaroi Fadil Zendeli nga Lëvizja “Besa”.
“Për këtë arsye janë siguruar veç më 7 milionë euro nga Agjencia zvicerane për Zhvillim dhe KB, të cilët do të fillojnë me aktivitetet me përfundimin e këtij viti. Por, duhet të dini, për shkak të situatës që e kishim në vendin tonë në dy kuartalet e para, sigurisht që edhe ndërkombëtarët kanë nguruar me realizimin e projekteve dhe i kanë prolonguar për një periudhë derisa të stabilizohemi në aspektin politik”,- tha zëvendësministrja e Financave, Shirete Elezi.
Nga ky problem më së shumti është i prekur qyteti i Tetovës, prandaj kërkon zgjidhje urgjente, tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Goran Manojllovski. Ndërkohë, Rexhail Ismaili nga BDI tha se problemit po përpiqen t’i japin zgjidhje afatgjate.
“Nga ky problem më së shumti është i prekur qyteti i Tetovës. Krahas asaj që është komuna më e madhe në rajonin e Pollogut dhe në vend që të jetë më i ndërtuari, është komuna më e ndotur. Si është zgjidhur problemi në Brvenicë, Zhelinë, Bogovinë? Kjo flet për aftësinë e kryetarëve të komunave që janë vënë për t’i zgjedhur problemet”,- u shpreh Goran Manojllovski nga VMRO-DPMNE.
“Komuna e Tetovës tha vetë, 10 herë më shumë ka potencial për të prodhuar mbeturina dhe realisht kërkon një zgjidhje urgjente dhe zgjidhje afatgjate. Zgjidhje momentale ka. Zgjidhjet të cilat janë ne po mundohemi që sa më shpejt të marrin një tretman institucional pak më të mirë”,- theksoi Rexhail Ismaili nga BDI.
Tetova është me popullsi më të dendur në rajon dhe është e natyrshme të ketë probleme, por po përpiqemi të ballafaqohemi me to, vazhdoi Ismaili, ndërkaq Manojllovski akuzoi se me Tetovën udhëheq kuadër i BDI-së dhe nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim.
NAIM RAMADANI
