Maqedoni
Ministria e Ambientit dhe 12 komuna, marrëveshje për 14 projekte infrastrukturore
27.07.2017 18:44
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Sadulla Duraku, dhe kryetarët e 12 komunave...

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Sadulla Duraku, dhe kryetarët e 12 komunave, sot nënshkruan marrëveshje për ndarjen e mjeteve financiare të përpunimit të dokumentit teknik për ndërtimin e sistemeve të ujësjellësit dhe të kanalizimit dhe për rregullimin e shtretërve të lumenjve.
Mjetet janë ndarë në pajtim me Programin për investim në mjedisin e jetesës për vitin 2017, bëri të ditur ministri Duraku, sipas të cilit janë paraparë gjithsej 43 milionë denarë për 14 projekte të 12 komunave.
“Mjetet janë shpërndarë për projekte në katër sfera, për mbrojtjen, ruajtjen dhe përmirësimin e cilësisë së ujërave; për mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit; për ngritjen e vetëdijes publike, edukimin dhe trajnimin në sferën e mjedisit jetësor; dhe për nxitjen e studimeve zhvillimore, programeve dhe projekteve arsimore, hulumtuese dhe aktiviteteve të tjera të ngjashme për mbrojtjen dhe avancimin e mjedisit jetësor dhe natyrës”,- deklaroi ministri i Ambientit Jetësor, Sadulla Duraku.
Nga kjo marrëveshje përfituan komuna e Zhelinës, Tearcës, Dibrës, Vasilevës, Kumanovës, Gostivarit, Likovës, Bërvenicës, Pllasnicës, Kriva Pallankës, Strumicës dhe Krushevës. Në pyetjen pse në këtë projekt nuk është përfshirë komuna e Haraçinës, ministri Duraku e dha këtë përgjigje: “Haraçina ka kërkuar 120 milion denarë, që do të thotë se ne kemi pasur 43 milionë dhe kjo është arsyeja që nuk ka pasur mundësi të mblidhen mjete. Është paraparë kanalizimi i Haraçinës në buxhet në pikë tjetër. Këtë vit do të realizohen 19 milion denarë, ndërsa në vitin tjetër do të jenë edhe 12 milionë”,- tha ministri i Ambientit Jetësor, Sadulla Duraku.
Po ashtu Duraku bëri të ditur se ka pasur edhe komuna të cilat nuk kanë konkurruar për përfitim të mjeteve nga ky projekt.
GYLTENE SINANI
