Botë

Romë, kufizimi i ujit rrezikon shëndetin e qytetarëve

27.07.2017 21:14

Ministrja e Shëndetësisë e Italisë, Beatrice Lorenzin, ka paralajmëruar për pasoja shëndetësore nëse vendoset kufizimi i ujit në Romë...

Pjesë të Italisë, përfshirë rajonin e Lacios përreth Romës, janë duke vuajtur nga thatësira. Kompania e ujit “Acea”, e cila i shërben Romës, ka propozuar ndërprerje të furnizimit me ujë për tetë orë në ditë, për 1.5 milion banorë.

Por, ministrja e Shëndetësisë, Lorenzin, tha se “pezullimi eventual i furnizimit me ujë mund të ndikojë seriozisht nivelin e higjienës në struktura akomodimi, restorante dhe zyra publike”.

“Mbi të gjitha, mund të rrezikojë seriozisht ofrimin e shërbimeve themelore shëndetësore”,- tha Lorenzin.

Italia ka përjetuar pranverën e tretë më të thatë në 60 vjet. Thatësira i ka kushtuar bujqësisë italiane rreth dy miliardë euro. Situata ka bërë që Vatikani të nisë të mbyllë shatërvanët këtë javë, për herë të parë në historinë e tij.