ShBA: sanksionet anti-ruse gati për miratim
Udhëheqësit republikanë në Kongresin e Shteteve të Bashkuara kanë bërë të ditur se kanë arritur marrëveshjen që i hap rrugë miratimit përfundimtar...

Udhëheqësit republikanë në Kongresin e Shteteve të Bashkuara kanë bërë të ditur se kanë arritur marrëveshjen që i hap rrugë miratimit përfundimtar të Ligjit për sanksione të reja kundër Rusisë.
Projektligji u miratua pothuajse njëzëri në Dhomën e Përfaqësuesve më 25 korrik, por rrezikonte rezistencën në Senat nga ligjvënësit që kundërshtonin vendimin e Dhomës së Përfaqësuesve për t’ia bashkuar sanksionet kundër Koresë së Veriut projektligjit fillestar të Senatit, i cili është përqendruar ekskluzivisht në ndëshkimin e Rusisë dhe Iranit.
“Jam i lumtur të njoftoj se kemi arritur marrëveshje që do të na mundësojë të dërgojmë Ligjin e sanksioneve në tryezën e presidentit”,- tha kreu i Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Bob Corker.
Mbështetja e fuqishme dypartiake për legjislacionin në Kongres vë presion mbi presidentin amerikan, Donald Trump, që ta nënshkruajë atë.
Sanksionet e reja synojnë të ndëshkojnë Rusinë për aneksimin e Krimesë në vitin 2014 dhe për ndërhyrjen e dyshuar të saj në zgjedhjet presidenciale në ShBA, më 2016.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi kanë vendosur sanksione mbi Rusinë qysh në vitin 2014, për shkak të përfshirjes së saj në luftën në lindje të Ukrainës dhe aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë.
