Maqedoni
Plani operativ i qeverisë 3-6-9, Osmani: prioritet zgjedhjet lokale; Plani operativ i qeverisë 3-6-9, do të implementohen 11 reforma afatshkurtra
28.07.2017 16:50
Sekretariati për Çështje Evropiane me intensitet të madh punon në adresimin e nevojave imediate për të pasur në vjeshtë zgjedhje lokale të lira...
Sekretariati për Çështje Evropiane me intensitet të madh punon në adresimin e nevojave imediate për të pasur në vjeshtë zgjedhje lokale të lira, kredibile dhe demokratike.
Plani qeveritar 3-6-9 për pjesën e zgjedhjeve parashikon miratimin e gjithsej 11 masave konkrete, prej të cilave 6 janë për konsolidimin e brendshëm të KShZ-së dhe 5 të tjera ku Qeveria obligohet të krijojë atmosferë të drejtë në terren dhe mekanizëm preventiv nga presionet eventuale ndaj votuesve.
“Mendoj që zgjedhjet e ardhshme lokale në një mënyrë do të reflektojnë më së miri suksesin e pjesës tre nga plani 3-6-9. Qëllimi i kësaj tribune është që t’i adresojmë masat dhe aktivitetet nga ky plan që kanë të bëjnë me zgjedhjet lokale me qëllim të organizojmë zgjedhje fer, të lira dhe kredibile, që është një përcaktim i rëndësishëm për të na vlerësuar komuniteti ndërkombëtar për suksesin tonë, por ajo çfarë është më e rëndësishme është që vota e lirë dhe e drejta e votës së lirë, konkurrenca fer politike dhe kredibiliteti i rezultateve është një garanci e rëndësishme për demokracinë e vendit për të cilin jemi përkushtuar”,- theksoi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.
Masat e caktuara në planin 3-6-9 parashohin ekipim të departamentit ligjor të KShZ-së me qëllim që i njëjti të mund të japë në kohë mendime për ankesat e dorëzuara, ekipimin e sektorëve për listën zgjedhore IT në KShZ.
Në këtë drejtim ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, dhe kryetari i KShZ-së, Aleksandar Çiçakovski, premtuan se po punojnë intensivisht në azhurnimin e listës zgjedhore dhe parandalimin e ndikimeve politike në këtë proces.
“Pastrimi i listës zgjedhore është proces që nuk përfundon. Ne jemi të përkushtuar që lëshimet që janë bërë në të kaluarën gjatë dhënies së dokumenteve personale të mos përsëritëm më, por megjithatë jam i mendimit se do të duhet të kërkohet paralelisht dhe zgjidhje sistematike për lidhshmërinë e sistemeve të institucioneve përkatëse për të pasur në të ardhmen menaxhim më të suksesshëm me këto dokumente”,- tha ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski.
“Azhurnimi i listës zgjedhore është proces dinamik në të cilin në kontinuitet po ndryshohen të dhënat në bazën e kësaj liste. Për këtë arsye edhe në planin qeveritar 3-6-9 është vendosur si kusht që të vazhdojë azhurnimi i listës zgjedhore dhe ne këtë e bëjmë në kontinuitet”,- u shpreh kryetari i KShZ-së, Aleksandar Çiçakovski.
Deri para mbajtjes së zgjedhjeve lokale parashikohet dhe miratimi i udhëzimit për ndalesë të shfrytëzimit të resurseve shtetërore nga ana e kandidatëve në zgjedhjet lokale, miratim gradual të akteve të nevojshme nënligjore në përputhje me OSBE-ODIHR-in.
Në drejtim të rritjes së transparencës së KShZ-së në planin qeveritar 3-6-9 rekomandohet që seancat e KShZ-së të vazhdojnë të jenë të hapura për publikun, si dhe të miratohet një deklaratë nga qeveria me sugjerim se deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale nuk do të ketë frikësim dhe presione ndaj administratorëve, të ketë inkuadrim për paraqitjen e rasteve të tilla eventuale dhe të suspendohen udhëheqësit që do të ushtrojnë presion në administratën shtetërore dhe publike.
REXHEP QAMILI
