Maqedoni
Spitali klinik, mjekët: pacientët janë në gjendje të mirë shëndetësore; Spitali klinik, mjekët: situata është nën kontrollin mjekësor
28.07.2017 17:09
Në Spitalin për Sëmundje Infektive në Shkup nuk janë paraqitur raste të reja me simptoma të etheve hemorragjike “Hantan”...

Në Spitalin për Sëmundje Infektive në Shkup nuk janë paraqitur raste të reja me simptoma të etheve hemorragjike “Hantan”, të cilat ishin shkak i vdekjes së dy banorëve të fshatit Simnicë.
Nga ky repart bëjnë të ditur se 7 pacientët nga i njëjti rajon të hospitalizuar në Klinikën për Sëmundje Infektive në Shkup janë në gjendje shëndetësore stabile.
“Për momentin gjendja e pacientëve të cilët janë në observim në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe gjendja febrile është stabile, nuk ka ndryshime të pasqyrës klinike dhe të analizave laboratorike dhe biohemike. Pacientët janë në kujdesje të vazhdueshme, gjendja e tyre është stabile. Vazhdojmë t’i përcjellim në dinamikë. Pacientët janë mbajtur vetëm për mbikëqyrje, vetëm për arsye se kanë pasur kontakt me të ndjerët. Gjatë ditës së sotme nuk ka pacientë të ri të hospitalizuar në lidhje me sëmundjen në fjalë”,- u shpreh mjeku, Ilir Demiri.
Ministri i Shëndetësisë përmes rrjetit social facebook e ka informuar opinionin se dje ekipe profesionale të Institutit për Shëndetit Publik kanë bërë deratizim dhe dezinsektim të shtëpive dhe objekteve përreth.
Nga rezultatet e shpallura mbrëmë mësohet se Virusi “Hantan” ishte shkaktari që mori jetën e dy personave, babë e birë, nga Simnica. Ky virus bie në grupin e viruseve që nuk bartet nga njeri në njeri, por nga urina dhe pështyma e brejtësve, gjegjësisht minjve edhe shkakton ethehet hemorragjike tek të infektuarit,që mund të jenë me pasoja vdekjeprurëse.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
