Maqedoni
Kuvend, LSDM: opozita po bën opstrukcione; Kuvend, VMRO-DPMNE: shkelet rregullorja e kuvendit
28.07.2017 17:37
Me kundërshtime dhe përplasje për nënshkrimin e raportit të Komisionit për Financa dhe Buxhet, e filluan punën deputetët në kuvend...

Me kundërshtime dhe përplasje për nënshkrimin e raportit të Komisionit për Financa dhe Buxhet, e filluan punën deputetët në kuvend, ku duhej vazhduar tre seanca plenare të mbetura përgjysmë, mes të cilave edhe shkarkimi i kryeprokurorit, Marko Zvrlevski.
VMRO-DPMNE akuzoi mazhorancën për shkeljen e rregullores, pasi që, sipas tyre, raportin në vend kryetares së Komisionit e ka nënshkruar dikush tjetër, por LSDM ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës me arsyetimin se VMRO-DPMNE po bllokon punën e kuvendit, ndërsa shumica e anëtarëve ka vepruar në përputhje me rregulloren.
“Gjatë ditës së djeshme LSDM dhe mazhoranca penguan përpjekjen e VMRO-DPMNE-së që nëpërmjet punës së komisioneve të pengohet miratimi i rebalancit të buxhetit. Kulmi ishte kur kryetarja e Komisionit për Financa dhe Buxhet refuzoi që të nënshkruaj raportin për punën e komisionit në mënyrë që i njëjti t’i dërgohet qeverisë në procedurë të mëtejme. Në rast të tillë, në përputhje me rregulloren e kuvendit, shumica e deputetëve anëtarë të komisionit, nënshkruan raportin dhe iu dorëzua qeverisë në procedurë të mëtejme”,- theksoi Petre Shilegov nga LSDM.
“Sipas informatave tona, raporti është përgatitur, por është nënshkruar nga persona të paautorizuar, përkatësisht nga anëtarë të komisionit nga shumica parlamentare edhe pse ai është obligim i kryetarit të komisionit. Kjo është shkelja e parë, ndërsa shkelja e dytë është se në Komisionin juridiko-ligjvënës nuk u hap aspak debat lidhur me amendamentet për rebalancin e buxhetit”,- u shpreh Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
Dimovski paralajmëroi një pako të re prej tetë ligjesh, të cilat VMRO-DPMNE do të kërkojë t’i fusë në procedurë gjatë dy javëve të ardhshme e që, sipas tij, kanë të bëjnë me interesin e qytetarëve. Ai sërish ftoi për mbajtjen e një seance urgjente për marrëveshjen e paralajmëruar me Bullgarinë.
Nga ana tjetër, Shilegovi tha se në koordinim me opozitën janë dakorduar për dinamikën e punës së kuvendit deri më 8 gusht, por, sipas tij, Kuvendi do të vazhdojë me punë deri sa të përfundojnë seancat e filluara.
NAIM RAMADANI
