Maqedoni

Takimi i partive shqiptare, shqipja përplas palët; Takimi i partive shqiptare, “Besa” bojkotoi takimin

28.07.2017 18:49

Zyrtarizimi i gjuhës shqipe është pika e vetme për të cilën kanë biseduar përfaqësuesit e partive politike shqiptare nënshkruese të deklaratës së përbashkët...

Kryetari i partisë “Uniteti”, Gëzim Ostreni, i cili edhe e thirri këtë takim, tha se gjatë konsolidimit të Ligjit për gjuhën shqipe kujdes i madh i kushtohet aspektit juridik, pra që ky propozim ligj të mos jetë në kundërshtim me kushtetutën dhe të hidhet poshtë nga Gjykata Kushtetuese. 
 
“Në takim qëllimi ishte ta përcjellim dinamikën e punës rreth Ligjit për përdorimin e të gjitha gjuhëve në RM. Kjo është pjesë e realizimit të parashikimeve të MO-së dhe përcaktimeve të Kushtetutës. Kujdesi ynë në përgatitjen e ligjit ka qenë të themi në atë që e mbështetëm si parti politike, pra që ligji të mos jetë në kundërshtim me parashikimet e kushtetutës, ashtu që mos të lejohet mundësia dikush të ankohet dhe Gjykata Kushtetuese ta hedhë poshtë ligjin”,- tha kryetari i Partisë “Uniteti”, Gëzim Ostreni.
 
Përfaqësuesi i PDSh-së, Bekim Fazliu, lëshoi tryezën e bisedimeve për shkak, siç thotë, qasjes jokorrekte të partive pjesëmarrëse në takim dhe dallimeve të mëdha për zyrtarizimin e gjuhës shqipe. 
 
“Kemi dallime të mëdha për sa i përket zyrtarizimit të plotë të gjuhës shqipe. Ne vlerësojmë se propozimi i partive tjera për sa i përket zyrtarizimit të gjuhës shqipe është mashtrim, i njëjti mashtrim siç ishte në 2008 dhe 2011, ndërsa PDSh që më herët ua ka dorëzuar propozimin tonë për Ligjin për realizimin e barazisë së gjuhëve dhe shkrimeve zyrtare në RM. Ky propozim ligj i PDSh-së është bërë nga përvojat më të mira moderne evropiane, perëndimore dhe rajonale, duke marrë parasysh për bazë shtetet që për nga përbërja e popullatës janë multietnike, siç është Maqedonia”,- deklaroi Bekim Fazliu nga PDSh.
 
Por, Ostreni nuk pajtohet me vlerësimin e Fazliut, pasi që, siç thotë, bëhet fjalë për çështje serioze, e cila do t’i kalojë të gjitha procedurat ligjore deri sa të vjen në fazën finale.  
 
“Ligjin për të cilin flet përfaqësuesi i PDSh-së, ne kemi bërë analizë komparative me ligjin i cili është propozuar, është në vijim dhe në përgjithësi ka elemente të mira, por gati të gjitha janë të përfshira në ligjin që është i propozuar. Në atë ligj ka elemente të cilat e mundësojnë që ligji të hidhet poshtë nga Gjykata Kushtetuese”,- theksoi kryetari i Partisë “Uniteti”, Gëzim Ostreni.
 
Lëvizja “Besa”, edhe pse nënshkruese e Deklaratës së përbashkët, sërish nuk e pa të arsyeshme të marrë pjesë në takim. Pjesëmarrësit e partive parlamentare shqiptare, pjesëmarrës në bisedime, janë dakorduar që takimin e radhës ta thërret PDSh-ja, por ende nuk dihet se a do të ndodhë kjo, pasi Bekim Fazliu e lëshoi mbledhjen. 
 
SANIJE DURAKU