Maqedoni
“Lagja e trimave”, prokurorët e dhanë fjalën përfundimtare; “Lagja e trimave”, prokuroria: grupi të shpallet fajtor
28.07.2017 17:53
Prokurori i angazhuar në rastin “Kumanova” në fjalët e tij përfunduese ka propozuar që gjykata t’i shpallë fajtorë të akuzuarit...

Prokurori i angazhuar në rastin “Kumanova” në fjalët e tij përfunduese ka propozuar që gjykata t’i shpallë fajtorë të akuzuarit dhe t’i dënojë në pajtueshmëri me ligjin.
Ai theksoi se në bazë të analizave dhe provave është e pakontestueshme se të akuzuarit janë fajtorë për këtë vepër. Lloji i armëve, përleshja me policinë, përgatitja e terrenit si dhe transporti i grupit flet për atë se ka pasur aksion të planifikuar mirë, ndërsa si qëllim kanë pasur ndjelljen e frikës dhe shkaktimin e pasigurisë së vazhdueshme tek popullata civile.
Fjalët e prokurorisë edhe kësaj radhe u kundërshtuan nga pjesa më e madhe e grupit, të cilët në shenjë pakënaqësie me rrjedhën e procesit gjyqësor dhe mospasjen e mundësisë të mbrohen, lëshuan seancën gjyqësore. Prokurori i angazhuar në këtë rast theksoi se për rrethana të rëndësishme për rastin ekzistojnë deklarata kontradiktore.
Fakti që kanë ardhur për të zbatuar Marrëveshjen e Ohrit nuk mori përkrahje nga popullata civile dhe nuk ka realizuar komunikim apo takim me përfaqësues diplomatikë nënshkrues të Marrëveshjes së Ohrit, vazhdoi më tej prokurori.
Ai theksoi se grupi nuk u është dorëzuar policisë edhe pse kjo e fundit ka kërkuar në fillim dhe disa herë gjatë përleshjes.
Nga pala mbrojtëse thonë se do të analizojnë fjalët përfundimtare të prokurorisë dhe do ta kundërshtojnë të njëjtën, pasi, sipas tyre, nuk bëhet fjalë për terrorizëm.
“Vlerësoj se të gjitha ngjarjet e analizuara nga ana e prokurorit publik ne nuk do t’i pranojmë, sidomos veprimet që u ngarkohen të akuzuarve për datën 9 maj 2015 dhe sipas mendimit tim, por edhe mbrojtjes, në përgjithësi këtu nuk ka vepër penale terrorizëm dhe mendoj se këtë do ta dëshmojmë në fjalët tona përfundimtare”,- theksoi avokati mbrojtës, Lupço Veselinovski. Për këtë rast akuzohen 37 persona për veprën terrorizëm dhe organizim terrorist.
Në sulmin në Kumanovë më 9 dhe 10 maj para dy viteve humbën jetën tetë policë ndërsa disa mbetën të plagosur. Ndërkaq, nga “Grupi i armatosur” u vranë 10 persona.
Procesi gjyqësor për rastin “Kumanova” ka filluar në shkurt të vitit 2016. Në aktakuzë fillimisht ishin 29 persona të akuzuar ku më pas numri u plotësua edhe me tetë të akuzuar të tjerë. Seancat e parë të radhës, ku të akuzuarit dhe pala mbrojtëse do të kenë fjalët e fundit, janë caktuar më datë 30 dhe 31 gusht.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
