“Ballisti” rrezikon të ekstradohet në Serbi, Shqipëria kërkesë Kroacisë për mosekstradim

29.07.2017 16:42

Ismail Morina Ballisti rrezikon të ekstradohet në Serbi....

Ismail Morina Ballisti rrezikon të ekstradohet në Serbi. Ministria shqiptare e Drejtësisë, i ka bërë kërkesë autoriteteve kroate, që të mos e ekstradojnë në Serbi shtetasin shqiptar Ismail  Morina Ballisti, i njohur për lëshimin e dronit mbi Beograd, gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri.

Minsitri Gazment Bardhi ka kontaktuar me autoritetet kopetente kroate, për të argumentuar nga pikëpamja e të drejtës ndërkombëtare, pamundësinë e ekstradimit të Ballistit në Serbi.  Për këtë qëllim, anë të një shkrese, drejtuar Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kroacisë, Ministri Bardhi i ka kërkuar zyrtarisht homologut të tij kroat, mos miratimin e kërkesës për ekstradim, duke vlerësuar se kërkesa për ekstradim bie ndesh me Konventën e Këshillit të Europës “Për ekstradimin” dhe Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike.  Ministri i Drejtësisë, në kërkesën drejtuar autoriteteve kroate, ka argumentuar se në rast ekstradimi në Serbi, shtetasi shqiptar Ismail Morina rrezikon t’i nënshtrohet përndjekjes, persekutimeve apo diskriminimeve të motivuara politisht, për shkak të shtetësisë së tij dhe gjendjes personale apo shoqërore, çka përbën shkelje të një të drejte themelore të njeriut, që duhet të pengojë miratimin e kërkesës për ekstradim. Për këtë qëllim, ditën e sotme, Ministria e Drejtësisë ka kërkuar bashkëpunimin   e Federatës Shqiptare të Futbollit, për t’i vënë në dispozicion të gjitha faktet dhe provat që dëshmojnë përdorimin politik nga autoritetet serbe, të ngjarjes së ndodhur në stadiumin e Beogradit, në Nëntor të vitit 2015, si dhe sjelljes çnjerëzore të tifozëve dhe personelit serb të stadiumit, ndaj ekipit kombëtar shqiptar.

Pasi Gjykata e Shkallës së parë në Kroaci vendosi për ekstradimin e Ballist Morinës në Serbi, njoftohet se për mosekstradimin e  Morinës janë asngzhuar edhe Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe Federata shqiptare e Futbollit.

Në Tiranë dhe jo vetëm janë paraparë edhe protesta me kërkesën për mos ekstradimin e Morinës.

Ndryshe Ballist Morina, është arrestuar në Kroci, prej afro një muaji. Ndërsa gjykata e Shkallës së Parë e Dubrovnikut, ka vendosur ekstradimin e tij në Serbi, pasi prej afro dy vitesh në emër të tij ka një urdhër ekstradimi nga Serbia nën akuzën për ngriutjen e dronit me një baner të mbishkruajtur Autochtonus.

Familjarë e Ballist Morinës kanë bërë të ditur se vendimin e Shkallës së Parë do ta apelojnë në instancat më të larta gjyqësore, por kanë kërkuar edhe ndihmën e institucioneve shqiptare për mosekstradimin e Ballistit në Serbi. (Gazmend Kurtishi, TVM2)