Piktorja Besa Ramadani-Bajrami hapi ekspozitën e parë personale në Kërçovë

29.07.2017 20:48

Hapet ekspozita e parë personale e piktores Besa Ramadani-Bajrami....

Hapet ekspozita e parë personale e piktores Besa Ramadani-Bajrami.

Në ambientet e Muzeut të Kërçovës, u hap ekspozita e parë personale e piktores Besa Ramadani-Bajrami, “Mall për të bukurën” ku janë ekspozuar mbi 60 vepra që gërshetojnë kryesisht temat që lidhen me vendlindjen dhe bukuritë e saj.

Vetë titulli i ekspozitës së parë personale të piktores kërçovare Besa Ramadani-Bajrami e tregon përmbajtjen e gjithë asaj që është ekspozuar në ambientet e Muzeut të Kërçovës.

Ajo  vjen e shfaqet përmes një gruaje që jeton mijëra kilometra larg vendlindjes dhe ngjyrave të zjarrta që i pasqyrojnë bukuritë natyrore dhe peizazhet fshatareske, portretet e grave që shprehin bukurinë, sensualitetin, ndjeshmërinë dhe pasionin për të bukurat që i ofron natyra dhe jeta, tha profesoresha Leonora Ramadani, me rastin e hapjes së ekspozitës “Mall për të bukurën” të autores Besa Ramadani-Bajrami.

Autorja, në ekspozitën e parë të saj, ka ekspozuar 61 piktura të punuara me stile të ndryshme dhe teknika të veçanta artistike dhe ngjyra të jetës që shfaqen në pëlhurë.

Ekspozita e piktores kërçovare Besa Ramadani-Bajrami që jeton dhe vepron në Amerikë, do të jetë e hapur për vizitorët, deri të mërkurën e ardhshme.  (Shaban Dalipi, TVM2)